Zgjerimi i sheshit “Xhorxh Bush” deri te “Rrethi i Flamurit”, ndahen 3.5 milionë euro

Me veturë në këtë pjesë do të mund të kalohet vetëm edhe në vitin e ardhshëm. Kjo për shkak, se nga katedralja “Nënë Tereza” e deri tek “Rrethi i Flamurit”, Komuna e Prishtinës po planifikon të zgjeroj sheshin “Xhorxh Bush”. Madje për këtë, në Kornizën Afatmesme Buxhetore 2027-2029 u nda edhe buxhet në vlerë prej…

Lajme

05/07/2026 21:28

Me veturë në këtë pjesë do të mund të kalohet vetëm edhe në vitin e ardhshëm.

Kjo për shkak, se nga katedralja “Nënë Tereza” e deri tek “Rrethi i Flamurit”, Komuna e Prishtinës po planifikon të zgjeroj sheshin “Xhorxh Bush”.

Madje për këtë, në Kornizën Afatmesme Buxhetore 2027-2029 u nda edhe buxhet në vlerë prej 3.5 milionë euro.

Ndërkohë, punimet në përfundimin e sheshit që nisi vite më parë po vazhdojnë ende.

Por qytetarët, nuk e mbështesin idenë e zgjerimit të sheshit deri te ‘Rrethi i Flamurit”.

“Kjo në rregull nuk është sepse maspari po ja hup qytetit pamjen me ato mirë që i bën pershembull edhe për shkak të kishës por më mirë është interesat e qytetareve sesa interesat e një grupi”, ka theksuar Ismet Leci, qytetar.

Kritik ndaj planit të komunës është edhe një tjetër prishtinas.

“Ku kanë me ec veturat, na nuk kemi rrugë të gjera ky projekt për me zhvillu Prishtinën u dasht dikun tjetet me ja nis unë se di çka kjo shetitore kur njerëz nuk ka, këtu kijamet kur ja ka fillu”.

Kundër s’janë por opozita e kryeqytetit kërkon që fillimisht të ofrohen rrugë alternative para nisjes se projekteve të tilla.

‘Në parim ne përkrahim çdo nismë dhe çdo investim që bëhet në të mirë të kryeqytetit por fillimisht duhet të bëhet një analizë e thellë duke marrë masa shtesë, pa rrugë alternative, pa autobusë të rinj, pa parkingje unë mendoj që do të rëndohet edhe më shumë trafiku në kryeqytet”, ka theksuar Besart Krasniqi, asamblist nga LVV.

Krasniqi tha se do të kërkohet sqarim nga kryetari Rama në mbledhjen e kuvendit komunal.

‘Po edhe për punimet në “Xhorxh Bush” nuk e ka diskutu në kuvend komunal as këtë radhë nuk ka pas diskutime dhe normale ne kemi me kërku sqarime sepse së pari duhet me pas një rrugë alternative nëse e mbyll një rrugë”, ka deklaruar Krasniqi.

Ndërkohë, punimet në sheshin “Xhorxh Bush” planifikohet të përfundojnë deri në muajin nëntor, kurse për planet për projektin e ri, nga komuna e Prishtinës nuk janë deklaruar.