Zgjedhjet, si tregues i shtetit
Është me rëndësi, si për stabilitetin e brendshëm ashtu edhe për konsolidimin ndërkombëtar, që zgjedhjet të jenë mirë të organizuara dhe të pranuara nga të gjithë.
Opinion
Me 3 nëntor, të gjithë qytetarët e Kosovës mbi 18 vjeç, do të kenë mundësi që të dalin dhe votojnë për njërin nga kandidatët për Kryetar të Komunës së tyre si dhe njërin nga kandidatët e partive politike për Asamble Komunale.
Zgjedhjet si instrument legal dhe legjitim i vetëm i bartjes së besimit nga populli te përfaqësuesit e zgjedhur, është njëra ndër elementet bazike për ta konsideruar një vend demokratik. Në vendet me demokraci të konsoliduar, zgjedhjet janë dhe shfrytëzohen si mekanizëm i dhënies, marrjes dhe ndryshimit të besimit për përfaqësuesit, varësisht prej qeverisjes së tyre.
Në Kosovë gjatë Administrimit Ndërkombëtar për 9 vjet dhe tani rreth 6 vjet të Pavarësisë, me gjithë problemet të cilat i hasin çdo vend në tranzicion, ka pasur zgjedhje relativisht mirë të organizuara.
Me gjithë problemet, akuzat, dyshimet dhe etiketimet me bazë dhe pa bazë për keqpërdorim të votave në mes partive në zgjedhjet e fundit parlamentare, është me rëndësi, si për stabilitetin e brendshëm ashtu edhe për konsolidimin ndërkombëtar, që zgjedhjet të jenë mirë të organizuara dhe të pranuara nga të gjithë. Zgjedhjet janë tregues elementar për fytyrën e një shteti.
Mund të konstatohet se tradita e mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë është e re, krahasuar me vendet tjera në përgjithësi, për shkak të rrethanave dhe zhvillimeve, por jo edhe aq, që të amnistohet për mungesë të përvojës.
Po të krahasohen fushatat e zgjedhjeve të pasluftës me fushatën që po mbahet këto ditë, megjithëse është vetëm fillimi i fushatës dhe ende mbetet shumë për t’u përmirësuar, vërehet lëvizje pozitive dhe ngritje e përgjithshme e nivelit të kulturës politike. Përderisa në zgjedhjet e kaluar premtimet dhe ofertat ishin të përgjithshme me tema të mëdha politike, në këtë fushatë zgjedhore premtimet janë më të konsoliduara dhe praktike, në kuptimin programor, bazuar në kompetencat dhe detyrimet komunale. Një gjë e tillë tregon për pjekuri të skenës partiake dhe përpjekje që të ecët me trendin e kohës.
Kjo ndodh së paku për dy arsye: E para, përvoja e krijuar me qeverisjet lokale, dhe nevoja për adresim të problemeve të fushës komunale dhe e dyta nevoja për të qenë më atraktivë dhe tërheqës për elektoratin, sepse vërehet një lodhje e përgjithshme nga fushatat dhe premtimet, gjë e cila vërtetohet me përqindjen e ulët të pjesëmarrjes në zgjedhjet e kaluara. Për këtë, ka arsye nga më të ndryshmet, duke filluar me pakënaqësinë dhe krijimin e opinionit se s’po qeveriset mirë, e që realisht mbetet shumë për t’u bërë në këtë drejtim. Një faktor tjetër për pjesëmarrjen e ulët është edhe mungesa e pastrimit të listës së votuesve si dhe numri i konsideruar i diasporës, të cilët janë në listën e votuesve dhe të cilët nuk është që tregojnë interesim të madh për të votuar përmes operacionit të votimit përmes postës apo edhe ambasadave. Këtë të fundit e them nga përvoja ime personale.
Përveç ngritjes së vetëdijes politike e cila po rritet çdo herë, ka hapësirë dhe nevojë për përmirësime dhe ndryshime në sistem zgjedhor duke u bazuar në përvojat dhe defektet e identifikuara.
Njëra ndër rishikimet që duhet të bëhet është lejimi i sërishëm i shërbyesve civilë që ta mbajnë postin e shërbyesit civil dhe të asambleistit. Këtë e them sepse në lista komunale shihet një rënie e cilësisë së kandidatëve, megjithëse qëllimi është për ta depolitizuar administratën publike. Por, shtrohet pyetja, lejimi i punëtorëve të arsimit që t’i mbajnë dy postet, a nuk e politizon arsimin? Përveç kësaj, ka edhe elemente tjera të cilat mund të rishikohen, siç është: Periudha e fushatës dhe Balotazhi për Kryetarët e Komunave.
Fushata zgjedhore zyrtare 30 ditë, si dhe një muaj pas raundit të parë në Komunat ku shkohet në balotazh, e që pothuajse në të gjitha Komunat ka balotazh, si dhe fillimi jo zyrtar i fushatës para afatit zyrtar nga të gjitha partitë politike, është i gjatë. Kjo i bie që për çdo dy vjet të mbajtjes së zgjedhjeve një herë lokale dhe pastaj parlamentare, institucionet publike të pasivizohen. Po të matet rëndësia në mes të zgjedhjeve të rregullta dhe të ndershme me përfaqësues legjitimë dhe kohës reale të fushatës, jo vetëm të asaj që parashihet me ligj, atëherë pa dyshim se më me rëndësi është të kemi fushatë të gjatë me nxjerrje të përfaqësuesve legjitimë. Mirëpo, bazuar në rrethanat e Kosovës, si dhe territorin jo të madh, nuk do të ishte ide e keqe që të shqyrtohet mundësia që të zvogëlohet periudha e fushatës zgjedhore, më pak se 30 ditë. Ndoshta dy javë apo edhe tre javë fushatë zgjedhore janë të mjaftueshme që të mbajmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe të kanë mundësi të shpalosjes së programeve partitë politike dhe kandidatët?!
Me vullnetin e subjekteve politike si dhe rregulla të qarta të lojës, zvogëlimi i kohëzgjatjes së fushatës do të ndikonte në uljen e harxhimeve dhe në rritjen e mundësisë për kandidatët fitues dhe partitë politike që t’i realizojnë programet e tyre.
Balotazhi – Në rast të mosarritjes së 50+1 % të asnjërit kandidat për Kryetar Komune, shkuarja në balotazh i dy kandidatëve që kanë më së shumti vota në raundin e parë është praktikë që e aplikojnë shumë vende për zgjedhjen e udhëheqësve të shteteve. Po ashtu, balotazhi aplikohet edhe për zgjedhjen e Kryetarëve të Komunave, ashtu siç është rasti i Kosovës. Mirëpo, në bazë të praktikave të deritashme nga zgjedhjet e kaluara, balotazhi në disa raste ka treguar se përveç kohës dhe shpenzimeve ekstra në raundin e dytë, ka edhe defekte tjera. Njëra ndër to është humbja në balotazh e kandidatit që ka marrë më së shumti vota në raundin e parë, ndërsa në balotazh ka fituar kandidati i votuar më pak në raundin e parë. Kjo ka ndodhur ndër të tjerash për shkak të aftësive dhe shkathtësive të kandidatëve të caktuar për të lidhur aleanca me partitë tjera si dhe fuqisë për të angazhuar partinë, sepse zakonisht në raundin e parë ka angazhim edhe të kandidatëve për asamble, duke kërkuar votën për vete si dhe Kryetarin, e që në raundin e dytë zbehet angazhimi.
Teorikisht, raundi i dytë është rregull që aplikohet në shumë vende dhe legjitim, mirëpo në të njëjtën kohe nëse kihen parasysh defektet e lartpërmendura, në rastet e tilla, qytetarin e largon nga të zgjedhurit, sepse më shumë vjen në shprehje aleanca dhe shkathtësitë e kandidatit për kryetar se sa vullneti primar i qytetarëve.
Përveç përmirësimeve që mund të bëhen në aspektin organizativ të zgjedhjeve, mjaft sfiduese mbetet përmirësimi i qeverisjes lokale në Komuna. Por, për të qenë real nuk mund të shihet gjithçka negativisht. Kur e them këtë, bazohem në disa fakte, të cilat tregojnë për përmirësime në performancën lokale, siç është rritja e të hyrave vetanake komunale si dhe rritja e granteve dhe subvencioneve nga buxheti qendror i ndarë për Komuna. Në vitin 2008 nga totali i përgjithshëm i shumës së buxhetit për investime kapitale në Komuna, ku përfshihet të hyrat vetanake dhe buxheti i qeverisjes qendrore ishte 72 milionë, kurse në 2012 rreth 151 milionë euro. Në këto të dhëna nuk janë të përfshira investimet kapitale të bëra nga ministritë.
Kjo tregon se në Kosovë trendi i zhvillimeve është pozitiv por me hapësirë dhe nevoja të shumta për t’u përmirësuar, sidomos në rritjen e të hyrave vetanake nga komunat e mëdha si dhe menaxhimi më i mirë i tyre. Një shembull i tillë por jo vetëm mund të merret Prishtina e cila krahasuar me komunat tjera, ka mundësi më të shumta për rritjen e të hyra vetanake, sepse është kryeqendër, ku janë të përqendruara shumë biznese, ndërtime dhe aktivitete tjera të cilat me rritjen e performancës së qeverisjes lokale duhet të rriten të ardhurat e jo të ketë me miliona suficit me gjithë nevojat e shumta për investime.