Zgjedhjet pa reformë janë të pafalshme

Gysmëreforma është zero. Nuk duhet ricikluar zgjedhjet e kaluara. Ulëset e rezervuara janë histori e përfunduar. Ambasadorët nuk duhet ta kthejnë Kosovën në kohën e pavarësisë së mbikëqyrur. Kështu deklaron Arsim Bajrami, në intervistë për lajmi.net.

Lajme

16/01/2014 17:00

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PDK, Arsim Bajrami thotë se do të ishte “e pafalshme” nëse liderët e vendit merren vesh që zgjedhjet parlamentare në Kosovë të mbahen pa u kryer reforma zgjedhore.

Në një intervistë për lajmi.net, Bajrami flet për kërkesat e faktorit ndërkombëtar që të kryhet reforma zgjedhore, për ndërhyrjet e ambasadorëve të akredituar në Kosovë në kohën kur shteti ka hequr qafe mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë, për atë se pse komunitetet pakicë duhet t’u përshtaten rregullave të vendosura më herët dhe të mos kërkojnë zgjatjen e ulëseve të rezervuara.

“S’ka gjysmëreformë. Gjysmëreforma është hiç reformë, zero reformë”, thotë Bajrami, kur pyetet nëse pret që liderët do të kënaqen me një reformë sipërfaqësore zgjedhore.

Bajrami, njëri ndër ekspertët më të njohur vendorë në çështje kushtetuese, thotë se në rast se zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin pa reformë, vendi do të riciklonte zgjedhjet e kaluara.

Sipas tij, në rast se do të ndodhnin zgjedhjet parlamentare para reformës zgjedhore, klasa politike do të tregojë një joseriozitet total, do të ulet besimi tek qytetarët dhe të tregohet se liderët dhe partitë politike nuk janë të gatshëm të ngritën mbi interesat partiake dhe të marrin parasysh interesin shtetëror.

 

Lajmi.net: Është përmendur disa herë nga faktori ndërkombëtar por edhe vendorët që reforma zgjedhore nuk është vetëm kërkesë por është kusht për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare. A mos ka ndonjë rrezik që ky kusht të mos përmbushet?

Arsim Bajrami: Unë mendoj se është e paimagjinueshme mbajtja e zgjedhjeve të ardhshme pa finalizimin e reformës zgjedhore, sepse reformimi i Ligjit për Zgjedhje është një parakusht që të kemi zgjedhje të drejta me standarde ndërkombëtare.

Është vërtetuar se Ligji i vjetër ka pasur disa mangësi, të cilat kanë rezultuar me shkelje. Dhe ne domsdoshmërish duhet që 6 muaj para se të shkohet në zgjedhje, të amandamentojmë Ligjin për Zgjedhje, në mënyrë që ta përshtatim një kornize të mirë e cila do të mundësojë pastaj zgjedhje të mira dhe të drejta.

Kështu që, gjykimi im është që nuk mund të shkohet assesi në zgjedhje parlamentare, pa miratimin e reformës zgjedhore, e aq më tepër kjo reformë zgjedhore duhet të jetë e gatshme 6 muaj para se të shpallen zgjedhjet, sepse partive politike duhet t’u jepet kohë që të përshtaten me sistemin e ri zgjedhor dhe të mos lejojmë asnjë improvizim i cili do të mund ta dëmtonte cilësinë e zgjedhjeve që do të mbahen.

Lajmi.net: Nëse vendi shkon në zgjedhje pa reformë zgjedhore, çka nënkupton kjo?

Arsim Bajrami: Nënkupton që vendi po riciklon zgjedhjet e kaluara. Nënkupton që ne nuk jemi të gatshëm për të përmirësuar performancën e zgjedhjeve të kaluara dhe nënkupton që partitë politike nuk janë të gatshme për të ndërtuar imazhin e Kosovës duke mbajtur zgjedhje të lira.

Do të ishte një gabim i pafalshëm për partitë politike, sepse kemi shpenzuar më tepër se një vit për reformën zgjedhore dhe reformën kushtetuese.

Unë po besoj që partitë politike do të heqin dorë nga interesat e tyre maksimaliste partiake dhe të jenë të vetëdijshëm se mbajtja e zgjedhjeve të drejta është një kusht esencial për integrimin e Kosovës në Bashkimin Europian.

Asnjë lider politik dhe asnjë parti politike nuk ka të drejtë ta mbajë peng këtë proces, sepse përmes këtij procesi ne tregojmë kapacitetin dhe aftësinë shtetformuese për të mbajtur zgjedhje dhe për të themeluar institucione demokratike.

Lajmi.net: Duket se bllokada e reformës zgjedhore ka mbetur te ulëset e rezervuara për komunitetin pakicë, që rrjedhimisht nënkupton ndryshim të Kushtetutës. LDK po e kundërshton një gjë të tillë, a e ka mirë a e ka keq?

Arsim Bajrami: Unë mendoj se çështja e ulëseve të rezervuara është një histori e përfunduar, sepse ne kemi përmbushur të gjitha obligimet që kemi pasur me Pakon e Ahtisarit. Mendoj se Kosova nuk duhet t’ia lejojë vetes komoditetin që të tejkalojë këtë paketë, sepse edhe vetë Pakoja e Ahtisarit ka paraqitur një kompromis shumë të dhimbshëm dhe të rëndë për Kosovën.

Dhe, kurrfarë gjeneroziteti shtesë nuk është i nevojshëm, sepse pakicat duhet të jenë të kënaqura me pozitën e tyre Kushtetuese në Republikën e Kosovës.

Pozita e tyre është më e avancuara në Europë sa i përket trajtimit ligjor dhe kushtetues dhe nuk guxojmë të biem gjithmonë pre e presioneve dhe shantazheve dhe presioneve joparimore të bashkësisë ndërkombëtare.

Duhet të kërkojmë nga pakicat që të jenë realë dhe të jenë konkretë ndaj Kosovës. Të fillojnë procesin e integrimit, sepse ata e kanë fituar një shkallë të gjerë të decentralizimit me Pakon e Ahtisarit, do të kenë edhe Asociacionin e tyre të Komunave. Kanë një përfaqësim mbi proporcional në Kuvendin e Kosovës dhe nuk e shoh të nevojshme dhënien e koncesioneve të reja.

Lajmi.net: Cili opsion është më i mirë për zgjedhje, qershori apo shtatori 2014?

Arsim Bajrami: Kosova nuk ka arsye në vitin e fundit të mandatit të kësaj legjislature të improvizojë zgjedhjet e jashtëzakonshme apo të parakohshme. Ne duhet të përgatitemi për zgjedhje të rregullta. Duhet të mësohemi që ne duhet të mbajmë zgjedhje të rregullta çdo katër vjet. Demokracia jonë duhet të jetë me e emancipuar. Dhe, çfarëdo opsioni i mbajtjes së zgjedhjeve në qershor apo para se të kryhet reforma zgjedhore, duhet të ishte një improvizim dhe do të ishte hyrje në një cikël zgjedhor të pasigurt.

Kështu që, mendoj se zgjedhjet duhet të mbahen në afatin e rregullt kushtetues, në muajin shtator ose në muajin tetor, të amandamentohet ligji zgjedhor, dhe partitë të kenë kohë të përgatiten për zgjedhje, njëkohësisht edhe KQZ’ja të ketë kohë të mjaftueshme që të avancojë logjistikën zgjedhore, të bëjë pastrimin e listave, të bëjë modernizimin e sistemit elektoral, të bëjë leximin elektronik të votave – që votat të numërohen në mënyrë sa më të transparente, jo në qendrat e votimit, por në qendrat e numërimit.

Në një mënyrë duhet t’i mundësojmë KQZ’së që të përgatitim për këtë operacion zgjedhor, në mënyrë që as faktorë, asnjë element i shtetit të Kosovës mos të dështojë, sepse ne kemi për obligim që këto zgjedhje të vazhdojnë trendin e mirë me zgjedhjet lokale, dhe kemi për obligim që të dërgojmë mesazhe që ky shtet edhe pa mbikëqyrjen ndërkombëtare edhe pa OSBE’në të mbajë zgjedhje me standarde europiane.

Lajmi.net: Çka tregon klasa politike nëse e bën këtë gabim, të shkojë në zgjedhje pa reformë zgjedhore?

Arsim Bajrami: Klasa politike do të tregojë një joseriozitet total, do të ulet besimi tek qytetarët dhe tregohet se liderët dhe partitë politike nuk janë të gatshëm të ngriten mbi interesat partiake dhe të marrin parasysh interesin shtetëror. Besoj se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Ne jemi mësuar të biem në kriza, por jemi mësuar të dalim nga kriza. Fatkeqësisht dalim nga kriza gjithmonë me presionin e bashkësisë ndërkombëtare dhe duhet të mësohemi se problemet tona duhet t’i zgjidhim vetë.

Çështja e reformës elektorale nuk është një çështje ndërkombëtare, nuk është një çështje e Ambasadorëve. Në shtetet e tyre, Ambasadorët nuk guxojnë as të flasin për çështje politike, siç është reforma elektorale. Është një çështje e brendshme për të cilën duhet të arrihet marrëveshja politike nga liderët, sepse liderët janë liderë për të marrë vendime, për t’u marrë veç me çështje shtetërore. Dhe, mendoj se duhet një vetëdijësim që duhet të arrihet një marrëveshje. Marrëveshja është shumë afër, janë dy-tri çështje që ata duhet t’i arrijnë.

Nuk mund të bëjë punë këtu as Komisioni i Venecias, nuk mund të ndihmojë shumë, sepse, gjithmonë, ligji elektoral i sistemit zgjedhor është një kontratë politike midis partive politike, një kontratë e brendshme. Secili shtet është i lirë me standardet e Bashkimit Europian që të modelojë cilindo sistem zgjedhor që i përgjigjet realitetit dhe në nivel të BE’së vetëm kemi standarde të votimit korrekt, fer dhe të drejtë.

Por, jo edhe të sistemit elektoral, sepse modelimi i sistemit elektoral, a do të shkojë një vend me lista të hapura apo të mbyllura, a do të ketë një zonë apo më shumë zona, dhe aspekte tjera janë çështje specifike e secilit shtet. Dhe, Kosova duhet të ndërtojë këtë marrëveshje politike dhe në një mënyrë duhet që atë marrëveshje politike ta implementojë përmes një ligji zgjedhor dhe të tregojë se ne meritojmë të jemi shtet pa mbikëqyrjen ndërkombëtare.

Mos ta harrojmë, vitin e kaluar e kemi përfunduar mbikëqyrjen ndërkombëtare. Përfundimi i mbikëqyrjes ndërkombëtare do të thotë që ne kemi kapacitete të bollshme të brendshme, edhe humane, edhe politike, edhe të lidershipit, që të merremi me çështjet tona.

Në qoftë se ne në çdo problem vazhdojmë t’i thërrasim në ndihmë ndërkombëtarët, vazhdojmë t’i thërrasim edhe institucionet ndërkombëtare për të na zgjidhur problemet e brendshme, atëherë ne duhet të rikthejmë mbikëqyrjen ndërkombëtare. Sepse, po del që ne nuk jemi të aftë për të qenë plotësisht të pavarur për të qeverisur me vetveten, gjë që ne e kemi treguar në momentin kur e kemi përfunduar mbikëqyrjen ndërkombëtare.

Kështu që, ne duhet të mësohemi që problemet t’i zgjidhim vetë, t’i zgjidhim me kohë, t’i zgjidhim në mënyrë parimore, t’i zgjidhim në interes të qytetarëve, sepse edhe jemi zgjedhur për të punuar në interes të qytetarëve.

Lajmi.net: A është e dëmshme nëse bëhet një kompromis, pra nëse arrihet një gjysmëreformë?

Arsim Bajrami: Mendoj se s’ka gjysmëreformë. Gjysmëreforma është hiç reformë, zero reformë. Ose duhet të bëhet një reformë e mirëfilltë, pra të bëhet një ligj, një ligj i cili ka konsensus politik, i cili ka standarde europiane dhe shkohet deri në fund.

Cilido improvizim është një paaftësi, është një improvizim-reformë dhe nuk garanton që ne do të kemi zgjedhje të mira dhe të drejta.

Ne duhet të inkurajojmë që në zgjedhjet e kaluara lokale na ka funksionuar shteti dhe ka funksionuar përgjegjësia politike, ka funksionuar disiplina partiake, sepse s’kemi pasur manipulime, sepse ka pasur përkushtim të liderëve të mos ketë manipulime, ka funksionuar Prokuroria e Gjyqësia.

Nëse tani e kryejmë edhe reformën zgjedhore, i bëjmë përmirësimet dhe gabimet që ka pasur ligji i vjetër, i cili ka mundësuar edhe një manipulim ndoshta masiv të votave për shkak të sistemit elektoral, atëherë nuk duhet të ketë gjysmëreformë, duhet të ketë reformë të plotë.

Duhet të modelohet sistemi më funksional për Kosovën. Ne nuk duhet të pretendojmë tash të marrim sistemin më ideal, sepse s’jemi ende demokraci ideale. Ne jemi në riprovim dhe ne duhet ta modelojmë atë sistem i cili në praktikë do të funksionojë. Në praktikë nuk do të bëjë probleme.

Në kohën kur ne jemi një demokraci stabile, atëherë mund të idealizojmë sistemin elektoral. Mund të marrim për shembull modelin amerikan, sistem i plotë mazhoritar, ku do të kemi 120 zona dhe secili deputet do të zgjedhjet në zonën e vet elektorale. Ne jemi larg saj dhe për momentin ne duhet të modelojmë sistemin i cili do të jetë funksional, i cili do të parandalojë abuzimin me vota dhe do të mundësojë mbrojtjen e plotë të votës së qytetarëve.