Zgjedhjet në Podujevë dhe në veri të Mitrovicës, ky është reagimi i Zyrës së BE-së

Mbajtjen e zgjedhjeve në komunën e Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut në kohën kur vendi po përballet me pandeminë COVID-19 e ka vlerësuar shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Lajme

30/11/2020 08:06

Ai ka shkruar në Twitter se përfshirja aktive e qytetarëve është e rëndësishme për një proces të besueshëm zgjedhor dhe demokracinë.

Ai pati lëvdata për punën e bërë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

“I vlerësoj votuesit që morën pjesë në Podujevë dhe Mitrovicën Veriore në ditën e zgjedhjeve, edhe pse pati kufizime për shkak të COVID-19. Përfshirja aktive e qytetarëve është e rëndësishme për një proces të besueshëm zgjedhor dhe demokracinë. Punë e mirë është bërë edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, shkruan ai.

Ndryshe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi ka arritur të fitojë zgjedhjet në Podujevë me 51.64% të votave.

Kurse në veri të Mitrovicës, zgjedhjet e jashtëzakonshme i fitoi kandidati i Listës Serbe, ku mori 89.86%.

Kujtojmë se komuna e Podujevës dhe ajo e Mitrovicës së Veriut shpallën zgjedhjet pasi dy ish-kryetarët, Agim Veliu e Goran Rakic morën poste në Qeverinë Hoti./Lajmi.net/