Zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut më 23 shkurt

Valdete Daka thotë se zgjedhjet në Komunën e Mitrovicës së Veriut do të mbahen më 23 shkurt. Sipas saj, e diela e javës së fundit të shkurtit është data më optimale që të mbahen zgjedhjet.

Lajme

16/01/2014 13:55

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut do të mbahen më 23 shkurt.

Këtë e ka konfirmuar Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, për Radio Kosovën.

Ajo është shprehur se kjo është data më e përshtatshme për t`i mbajtur zgjedhjet.

“Jemi dakorduar që data 23 shkurt është data më optimale për të mbajtur zgjedhjet. Tashmë ne e kemi një lloj eksperience me procesin zgjedhor në veri dhe marrë parasysh që këto zgjedhje janë vetëm për kryetar komune atëherë besoj që nuk do të kemi problem”.

KQZ ka marrë dritën jeshile nga Presidentja dhe autoritetet tjera shtetërore që zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbahen në ditën e diel të 23 shkurtit.

Qeveria e Kosovës kishte vendosur që në Veri të Mitrovicës duhet të mbahen zgjedhjet e reja pasi kryetari që doli fitues, Krstimir Pantic kishte refuzuar të nënshkruajë aktin e betimit për shkak se në të gjendej logoja dhe mbishkrimi Republika e Kosovës.

Por  sipas Dakës, Krstimir Pantic ka mundësinë të kandidojë përsëri pasi një gjë e tillë i mundësohet me ligjin zgjedhor .

“Ligji zgjedhor në Kosovë parasheh situatë kur kryetari dështon ta bëjë betimin por jo kur ai refuzon të betohet, kështu që nëse ai kandidohet ne duhet ta certifikojmë dhe t’ia mundësojmë garimin. Se a fiton apo jo sërish kjo është çështje tjetër”, ka thënë Valdete Daka për Radio Kosovën.