Zgjedhjet nacionale planifikohet t’i kushtojnë shtetit mbi 8 milionë euro- KQZ tregon se çfarë ndryshoi sa i përket organizimit të zgjedhjeve

Me ndryshime të mëdha pritet të jenë zgjedhjet nacionale në Kosovë të cilat janë planifikuar të mbahen më 9 shkurt 2025. Sikurse edhe vitet e kaluara, kostoja e përgjithshme e zgjedhjeve pritet të jetë e lartë saktësisht këtë herë këto zgjedhje pritet që shtetit t’i kushtojnë rreth 8 milionë e 709 mijë e 317 euro.…

Lajme

24/10/2024 20:13

Me ndryshime të mëdha pritet të jenë zgjedhjet nacionale në Kosovë të cilat janë planifikuar të mbahen më 9 shkurt 2025.

Sikurse edhe vitet e kaluara, kostoja e përgjithshme e zgjedhjeve pritet të jetë e lartë saktësisht këtë herë këto zgjedhje pritet që shtetit t’i kushtojnë rreth 8 milionë e 709 mijë e 317 euro.

Në lidhje me zgjedhjet se çfarë ndryshime janë bërë këtë herë, lajmi.net ka kontaktuar me zëdhënësin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi i cili tha se në lidhje me buxhetin se sa do të jenë shpenzimet duhet të pritet edhe përfundimi i procedurave të tjera.

“Ky është vetëm planifikim buxhetor, çka do të thotë se për të ditur saktë se sa do të kushtojë organizimi i këtyre zgjedhjeve duhet të presimin përfundimin e tij dhe të gjitha procedurat tjera. Buxheti i planifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për qëllim të organizimit të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, është në vlerën: 8,709,317 euro”, tha ai.

Sipas tij në proceset e kaluara zgjedhore, kostoja përfundimtare ka qenë më e ulët sesa është planifikuar në fillim.

Tutje Elezi ka thënë se nga shuma e përgjithshme e buxhetit të planifikuar, pjesa më e madhe e tij është caktuar për personelin dhe trupat zgjedhor që do të angazhohen.

“Vetëm gjatë këtij procesi janë planifikuar më shumë se 23 mijë persona, pjesa më e madhe e të cilëve do të angazhohen si anëtarë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, anëtarë të Këshillave të Vendvotimit dhe anëtarë të numërimit në Qendra Komunale të Numërimit”, thotë Elezi.

Mes tjerash ai shprehet se Ligji i ri për zgjedhjet e përgjithshme ka zgjeruar përgjegjësitë e KQZ-së në organizimin e procesit zgjedhor, gjë për të cilën  thotë se kjo reflekton edhe në koston e planifikuar.

“Për herë të parë në një proces zgjedhor do të kemi funksionimin e 38 Qendrave Komunale të Numërimit, të cilat do të vendosen kryesisht në palestra sportive dhe në të cilat do të bëhet numërimi i votave të kandidatëve për deputetë”, thotë ndër të tjera ai.

Elezi thotë se funksionalizimi i Qendrave komunale të Numërimit është një kosto shtesë pasi siç shprehet ai procesi që zhvillohet duhet të jetë plotësisht transparent dhe në këtë drejtim janë të nevojshme sigurimi i kamerave, monitorëve, kompjuterëve, skanerëve dhe pajisjeve tjera përcjellëse.

“Funksionalizimi i këtyre QKN-ve është një kosto shtesë sepse procesi që zhvillohet duhet të jetë plotësisht transparent dhe në këtë drejtim janë të nevojshme sigurimi i kamerave, monitorëve, kompjuterëve, skanerëve dhe pajisjeve tjera përcjellëse”.

Mirëpo sipas tij, ka edhe çështje të tjera që ndikojnë në planifikimin e kostos së përgjithshme.

Deri më tani Elezi thotë se procesi i përgatitjeve është duke u zhvilluar sipas planifikimeve, teksa shprehet se shumë nga aktivitetet zgjedhore të cilat ndërlidhen me votuesit dhe subjektet politike kanë filluar dhe janë në zhvillim e sipër.

“Shumë nga aktivitetet zgjedhore të cilat ndërlidhen me votuesit dhe subjektet politike kanë filluar dhe janë në zhvillim e sipër, siç është periudha për aplikim për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës (29 gusht – 26 dhjetor 2024); periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës (29 gusht – 26 dhjetor 2024) dhe periudha për kundërshtimin e pasaktësive në Listën Preliminare Votuese (29 gusht – 28 dhjetor 2024). Gjithashtu, është duke u zhvilluar edhe periudha për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë (1 shtator – 11 dhjetor 2024)”, shprehet Elezi.

Ndryshe për dallim nga zgjedhjet e kaluara kur një votues kishte të drejtë të votojë deri në pesë kandidatë për deputetë të një subjekti politik, këtë herë me ndyshimin e ligjit të ri votuesi ka të drejtë të zgjedhë deri në 10 kandidatë për deputetë të një subjekti politik.

“Kur flasim për votimin brenda vendit, për dallim nga zgjedhjet e kaluara, në zgjedhjet e radhës për Kuvendin e Kosovës, votuesi ka të drejtë të zgjedhë deri në 10 kandidatë për deputetë të një subjekti politik (në zgjedhjet e kaluara votuesi ka pasur të drejtë të zgjedhë/votojë deri në 5 kandidatë për deputetë të një subjekti politik)”.

Ligji i ri këtë vit e ka ndryshuar edhe aspektin e numërimit të votave, kjo pasi sipas Elezit në ditën e zgjedhjeve, në vendvotime do të numërohet vetëm pjesa e fletëvotimit ku qytetarët kanë votuar për subjektet politike, derisa ky ndryshim pritet që t‘ia mundësoj KQZ-së që brenda një kohe të shpejtë të publikojë rezultatet preliminare për subjektet politike.

“Një ditë më pas, për dallim nga zgjedhjet e kaluara, në Qendra Komunale të Numërimit, do të fillojë numërimi i pjesës tjetër të fletëvotimit, pra vota për kandidatët për deputetë”, ka thënë Elezi.

Ndërkaq këtë vit me ndryshimin e ligjit priten edhe ndryshime të tjera si pa heshtje zgjedhore 48-orëshe, e me procedura të lehtësuara për mërgimtarët.

Edhe pse zyrtarisht fushata zgjedhore është shumë larg, partitë politike veçse kanë filluar përgatitjet e tyre me kuadro të shumta anembanë vendit. Disa kanë filluar aderimet, regjistrimet e deri tek takimet me qytetarë.

Deri në zgjedhjet e 9 shkurtit është periudhë e gjatë, por politikanët tanë po mundohen ta shfrytëzojnë “mirë” e gjatë atë./Lajmi.net/