Zgjedhjet lokale pa institucione qendrore, Kryeziu alarmon se Kosova mund të futet në kolaps

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka thënë se ekziston rreziku që vendi të mbetet pa asnjë nivel funksional qeverisës, edhe në nivelin lokal dhe në atë qendror, duke marrë parasysh që aktualisht Kosova s’ka institucione të reja dhe po pritet të caktohet data e zgjedhjeve lokale. Kryeziu ka shkruar se kjo është një situatë alarmante…

Lajme

03/06/2025 13:49

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka thënë se ekziston rreziku që vendi të mbetet pa asnjë nivel funksional qeverisës, edhe në nivelin lokal dhe në atë qendror, duke marrë parasysh që aktualisht Kosova s’ka institucione të reja dhe po pritet të caktohet data e zgjedhjeve lokale.

Kryeziu ka shkruar se kjo është një situatë alarmante dhe e papranueshme, kur një shtet në tërësi është në pauzë dhe jofunksional.

“Në vend të konsolidimit të institucioneve, po përballemi me rrezikun real të hyrjes në një spirale degradimi institucional – pa përgjegjësi politike, pa përfaqësim qytetar dhe pa besim publik. Kjo nuk është më thjesht një krizë politike – është krizë e demokracisë, e përfaqësimit dhe e shtetndërtimit”, ka shkruar ai. /Lajmi.net/

Postimi i plotë i Kryeziut, pa ndërhyrje:

Qytetarët janë të lodhur dhe pothuajse tërësisht të dorëzuar përballë një klase politike të papërgjegjshme, e cila betejën për pushtet po e ndjek përmes bllokadës institucionale. Institucionet janë kthyer në treg pazari dhe në kauza të ngushta individuale e partiake – jo në zgjidhje dhe shërbim për qytetarët.

Jemi gati një vit pas shpalljes së zgjedhjeve parlamentare dhe ende pa Kuvend e Qeveri funksionale. Ndërkohë, po afrohet koha e zgjedhjeve të rregullta lokale. Në këtë situatë, ekziston rreziku real që vendi të mbetet pa asnjë nivel funksional të qeverisjes – as në nivelin lokal, as në atë qendror. Kjo është një situatë alarmante dhe e papranueshme: një shtet i tëri në pauzë dhe jo funksional.

Në vend të konsolidimit të institucioneve, po përballemi me rrezikun real të hyrjes në një spirale degradimi institucional – pa përgjegjësi politike, pa përfaqësim qytetar dhe pa besim publik. Kjo nuk është më thjesht një krizë politike – është krizë e demokracisë, e përfaqësimit dhe e shtetndërtimit.

Si qytetarë, nuk i kemi asnjë borxh askujt të abuzojë me vullnetin tonë apo të sillet me shtetin si me pronën e vet private.