Zgjedhjet lokale në Maqedoni të Veriut, monitoruesit shpalosin vërejtjet

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut ishin konkurruese, të qeta dhe të mirëorganizuara, por të prekura negativisht nga mangësitë ligjore dhe polarizimi politik. Misioni vëzhgues i ODIHR-së ka konstatuar në raportin fillestar se boshllëqet ligjore sjellin mangësi edhe në mbikëqyrjen e financimit të fushatës, kurse janë raportuar edhe blerje votash, presione dhe frikësime. Perceptimi për…

Lajme

20/10/2025 19:58

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut ishin konkurruese, të qeta dhe të mirëorganizuara, por të prekura negativisht nga mangësitë ligjore dhe polarizimi politik.

Misioni vëzhgues i ODIHR-së ka konstatuar në raportin fillestar se boshllëqet ligjore sjellin mangësi edhe në mbikëqyrjen e financimit të fushatës, kurse janë raportuar edhe blerje votash, presione dhe frikësime. Perceptimi për nivelin e korrupsionit, mbetet i lartë.

“Ndonëse nuk shkelën ligjin, kryetarët e bashkive dhe zyrtarët e lartë qeveritarë përuruan, vizituan ose promovuan projekte investimesh dhe infrastrukture si para ashtu edhe gjatë periudhës zyrtare të fushatës, duke minuar mbrojtjet ligjore që parandalojnë keqpërdorimin e burimeve publike dhe janë në kundërshtim me standardet ndërkombëtare. Raportet për presion të dyshuar mbi punonjësit e sektorit publik dhe frikësimin e votuesve dhe kandidatëve të opozitës, si dhe blerjen e votave nga partitë politike, ishin gjithashtu shqetësuese. Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë, megjithëse u vunë re disa mangësi në procedura, të tilla si votimi në grup dhe ndërhyrja e panevojshme nga përfaqësuesit e kandidatëve”, tha Mateo Mekaçi, Shef i misionit vëzhgues të ODIHR-së.

ODIHR-ja, në partneritet me përfaqësues tjerë nga misionet monitoruese të huaja, Kongresin e Këshillit të Evropës dhe Parlamentin Evropian, ka konstatuar mungesë inklusiviteti në proces. Thonë se shpikja e temave kombëtare kufizoi hapësirën për problemet lokale.

“Numri i ulët i kandidateve gra për kryetare bashkie dhe mungesa e aksesit për votuesit me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit mbeten shqetësime serioze. Mungesa e mediave lokale, veçanërisht jashtë kryeqytetit, është gjithashtu një problem i madh, duke kufizuar mbulimin e çështjeve lokale… duke kontribuar në spikatje të temave kombëtare, duke polarizuar më tej mjedisin zgjedhor”, tha Gobnait Ní Mhuimneacáin, Shefe e Delegacionit nga Kongresi i Këshillit të Evropës, shkruan Alsat.mk .

“Ne u sugjerojmë autoriteteve lokale të sapozgjedhura të çojnë përpara axhendën e reformave të vendit të tyre në BE”, u shpreh Marta Temido, Shefe e Delegacionit të Parlamentit Evropian.

Monitoruesit e huaj thonë se vendi ka avancuar në raport me disa vende të BE-së në përdorimin e pajisjeve biometike për votim, por kanë vërejtur edhe pengesa në zbatimin e tyre.

Raporti final i ODIHR-së me rekomandime, do të publikohet tetë javë pas zgjedhjeve. Zgjedhjet u monitoruan nga më shumë se 600 monitoues të huaj dhe më shumë se 800 monitoues vendas.