Liderët partiakë sot kanë qenë të presidentja Osmani, ku kanë diskutuar për datën e zgjedhjeve meqë edhe Konjufca dje dështoi ta krijojë qeverinë. Sipas deklarimeve, dy datat e mundshme janë 21 ose 28 dhjetor- “opozita” ka propozuar 21 dhjetorin, ndërsa VV preferon 28 dhjetorin.
Mirëpo këto dy data pritet të jenë sfiduese për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pasi ende nuk është përmbyllur procesi i certifikimit në zgjedhjet lokale.
Në një prononcim për lajmi.net, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se organizimi i një procesi të ri zgjedhor brenda një periudhe të shkurtë është sfidë për KQZ-në.
Teksa Elezi, ka shtuar se KQZ do të veprojë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Organizimi edhe i një procesi të ri zgjedhor brenda një periudhe të shkurtër, sigurisht që përbën sfidë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe stafin e tij, veçanërisht për faktin se aktualisht jemi në fazën përmbyllëse të administrimit të zgjedhjeve lokale. Megjithatë, KQZ, si gjithmonë, do të veprojë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja”, ka thënë Elezi. /Lajmi.net/