Zgjedhjet e reja do të kushtonin 1 milion euro më shumë se ato të kaluarat

Derisa po bëhen përpjekje për tejkalim të gjendjes politike, nuk po përjashtohet edhe mundësia e zgjedhjeve. E në rast se vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, KQZ­-së i duhet kohë dhe para. 

Lajme

02/11/2014 20:30

Madje, sipas kryesueses së KQZ­-së, Valdete Daka, përveç kohës, duhen edhe më shumë mjete financiare sesa në zgjedhjet e 8 qershorit.

“Po KQZ-së në fakt iu kishin dashtë 4 deri në 6 muaj ashtu siç e parasheh edhe kushtetuta edhe ligji mbi zgjedhjet e përgjithshme, po megjithatë afatet ligjore në këtë rast do të jenë prej 30 deri në 45 ditë dhe shpresojmë që në nëse shpallen zgjedhjet të na jepet afati prej maksimalisht 45 ditëve””

Daka tërheq vërejtjen se një proces i ri i zgjedhjeve mund t’i kushtojë vendit mbi 1 milion euro më shumë, sesa zgjedhjet e përgjithshme 8 Qershorit.

“Për procesin e kaluar 4.1 milion euro, mirëpo për zgjedhjet e tjera të cilat do të mbahen në dimër, nëse mbahen atëherë besoj që do të na nevojitet pak më tepër. Po tash nuk mundem me paragjyku, po me siguri mbi 5 milion do të jetë shuma”

Shumën prej mbi 5 milionë eurosh, kryesuesja e KQZ-së e ka arsyetuar, duke u bazuar në kushtet që sjell koha në rast se ato mbahen.

“Kjo për shkak të faktit se duhet të nxehen shkollat, kur nuk është ditë pune. Do të ngritet kostoja edhe e trajnimit të komisionerëve për shkak të faktit se mbahen me një ditë më të shkurtë, në mot të keq, për shkak të asaj se edhe KQZ-­ja duhet të punoj me orare të zgjatura të gjitha këto e rrisin koston”.

Daka ka mohuar t’i ketë ardhur deri tash ndonjë sinjal për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve. Megjithatë, ajo shprehet e gatshme të nisin me përgatitjet kurdo që vendoset, raporton RTK.