Zgjedhjet 2026 me ritëm më të ngadalshëm, pjesëmarrja mbetet nën nivelin e dhjetorit

Procesi zgjedhor në Kosovë po vazhdon në mënyrë të qetë dhe pa incidente serioze, ndërsa të dhënat e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tregojnë një pjesëmarrje më të ulët krahasuar me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025. Sipas KQZ-së, deri në orën 13:00 të ditës së sotme kanë votuar 15.77 për qind…

Lajme

07/06/2026 14:12

Procesi zgjedhor në Kosovë po vazhdon në mënyrë të qetë dhe pa incidente serioze, ndërsa të dhënat e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tregojnë një pjesëmarrje më të ulët krahasuar me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025.

Sipas KQZ-së, deri në orën 13:00 të ditës së sotme kanë votuar 15.77 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, raporton lajmi.net.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, në të njëjtën orë pjesëmarrja kishte arritur në rreth 18 për qind, kur votën e kishin hedhur 358,257 qytetarë nga gjithsej 1,999,204 votues.

Kjo nënkupton se zgjedhjet e sotme po zhvillohen me një ritëm më të ulët të daljes në votime, me një diferencë prej rreth 2.2 pikë përqindje krahasuar me procesin e fundit zgjedhor.

Megjithatë, autoritetet zgjedhore kanë vlerësuar se procesi po zhvillohet normalisht në të gjitha komunat e vendit. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se votimi po zhvillohet në kushte të rregullta dhe pa probleme që do të cenonin mbarëvajtjen e procesit.

Ndërkohë, liderët politikë kanë vazhduar t’u bëjnë thirrje qytetarëve që të dalin dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, ndërsa qendrat e votimit do të mbeten të hapura deri në orën 19:00. /Lajmi.net/