Zgjedhje të ndritshme

Kosova do të ketë furnizim të rregullt me rrymë gjatë ditës kur do të hapen kutitë e votimit. Kjo siguri u arrit me nënshkrimin e memorandumit në mes Valdete Daks dhe Fadil Ismajlit.

Lajme

01/11/2013 12:46

Të dielën do të ketë pasiguri për rezultatet e kandidatëve nëpër komuna, por një gjë do të jetë e sigurt –  Kosova do të furnizohet me energji elektrike 24 orë.

Garantimi i furnizimit të pandërprerë me energji elektrike të dielën, të hënën dhe të martën u arrit me  nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit mes Valdete Dakës, Kryetare e Komisionit të Zgjedhjeve, dhe Fadil Ismajlit, Ministër i Zhvillimit Ekonomik.

Kryetarja e KQZ`së është shprehur se furnizimi i rregullt me energji elektrike në ditën e zgjedhjeve do t`i zvogëlojë shanset për manipulime.

“Me këtë marrëveshje na garantohet se në ditën e zgjedhjeve do të kemi drita. Pra, mundësia e manipulimit do të zvogëlohet”.

“Këtu e kemi tërë stafin menaxherial dhe kompetent që të kemi drita në ditën e zgjedhjeve dhe mos të ketë prishje eventuale”.

“Urojmë që të jetë kështu dhe të mos përsëriten zgjedhjet e kaluara, kur ka pasur raste që është ndalur rryma dhe ka pasur prishje. Shpresoj që të gjithë janë koshientë se sa të rëndësishme janë këto zgjedhje për Kosovën – jo vetëm për KQZ`në, por për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Për nënshkrimin e këtij memorandumi u shpreh i kënaqur edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik.

Ai tha se arritja e kësaj marrëveshjeje ka peshë të madhe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Ky nënshkrim që ndodhi sot është një prej atyre veprimeve dhe hapave që të sigurohemi që vërtet të kalohen zgjedhjet me rregull dhe në dritë”.

“Unë i kam ftuar të gjithë operatorët këtu, përfshirë edhe rregullatorin e energjisë, dhe të gjithë i falënderoj që edhe para ftesës sonë ata tashmë i kanë bërë takimet e tyre. I kanë dakorduar planet, i kanë të parapara të gjitha situatat e mundshme delikate në të cilat mund të arrihet”.

“Tash për tash, në bazë të asaj që është prezantuar prej të gjithë operatorëve, duke filluar nga KEK`u, KOST`i dhe KEDS`i, përgatitjet janë në nivelin e duhur që edhe ditën e diel, ditën e hënë dhe të martën, të ketë furnizim të rregullt në të gjithë Kosovën”.

Gjithashtu, Ismajli ka marrë zotimin nga Korporata Energjetike e Shqipërisë se në rast të ndonjë befasie, ata do të jenë të gatshëm që ta furnizojnë Kosovën me energji elektrike.