Zgjedhje për t’i dhënë fund agonisë

Pas letrës së Ramush Haradinajt për Presidenten, AAK nuk e përjashton mundësinë e mocionit të mosbesimit për Qeverinë. Ardian Gjini thotë se nuk po kërkojnë zgjedhje të jashtëzakonshme, por rrugën institucionale për ta përfunduar agoninë e institucioneve.

Lajme

11/02/2014 14:40

Nëse Presidentja Kosovës Atifete Jahajaga refuzon kërkesën e Ramush Haradinajt për zgjedhje sa më shpejt që është e mundur, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e përjashton as mundësinë për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë.

Kështu deklaron për lajmi.net Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Ardian Gjini, i cili është i bindur se qeverisja aktuale çdo ditë e më tepër është duke degraduar.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të hënën, me anë të një letre i ka kërkuar Presidentes Jahjaga shpalljen e zgjedhjeve, për shkak të paralizimit të plotë të jetës institucionale.

“Kosova dhe qytetarët e saj nuk e kanë luksin që për shkak të humbjes së shumicës parlamentare të koalicionit qeverisës të përjetojnë kolapsin institucional, i cili tani më është realitet”, ka shkruar ai.

Haradinaj ka ftuar Presidenten Jahjaga që të fillojë dialogun menjëherë me subjektet politike, në mënyrë që në Kosovë të shpallen zgjedhjet parlamentare, si përgjigje ndaj situatës së krijuar në vend.

Por, në një bisedë për lajmi.net, Ardian Gjini thotë se AAK nuk po kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Nuk po kërkojmë zgjedhje të jashtëzakonshme. Po kërkojmë nga Presidentja që t’i nisë konsultimet në pajtueshmëri me forcat politike dhe t’i shpallim zgjedhjet, për shkak se Kosova është bllokuar”.

“Duhet ta shohim se cila është gjendja në Kuvend, a mund të ketë numra të mjaftueshëm, edhe ky mund të jetë një opsion, por nuk është opsion të cilin tani imediatikisht po e shqyrtojmë, për shkak se i kemi dërguar një letër Presidentes. Duhet të shohim si do të veprohet më tutje, por edhe votëbesimi nuk përjashtohet”.

AAK, deri para të hënës, kishte shfaqur qëndrim të prerë se Kosova nuk guxon të shkojë në zgjedhje pa reformë zgjedhore. Si afatin më të mirë kishe përmendur shtatorin, ndonëse ishte shprehur e gatshme për mbajtjen e zgjedhjeve kurdo.

Tash, Ardian Gjini jep një shembull pse duhet që Kosova të mbajë zgjedhje sa më shpejt që është e mundur.

“Është krejt e njëjtë letra e draftuar në mëngjes dhe ajo çfarë kamë thënë, unë ka qenë komplet në frymë të letrës, nuk kërkohen zgjedhje të jashtëzakonshme. Nëse e shihni letrën, e shihni që po kërkojmë rrugën institucionale për ta përfunduar këtë agoni të institucioneve”.

“Po e shihni edhe sot, institucionet nuk po mund të votojnë, nuk po mund të kemi shumicë, është një grumbull i pavarur i deputetëve të cilët po votojnë sipas bindjes së vet”.

Qeveria e Kosovës në shumë raste nuk ka arritur të sigurojë numrat për t’ua dhënë vizën disa proceseve të rëndësishme, ndërkohë që PDK e përballur me probleme të brendshme ka humbur votat e deputetëve të saj.

Zgjedhjet parlamentare do të mbahen brenda këtij viti, mirëpo ende nuk është caktuar një datë, për shkak të mungesës së konsensusit politik lidhur me reformën zgjedhore.

Letra e Ramush Haradinajt për Presidenten e Kosovës, megjithatë, ka hapur debate për mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, me rrëzim të Qeverisë, ose me pajtim të përgjithshëm politik.

Por, ai ka folur tepër shkurt në letër, ndonëse qartë.

Shpjegimet e tij më të hollësishme, siç është paralajmëruar, pritet t’i japë sonte në një intervistë në RTK.