Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit – Ja si do të zhvillohet procedura sipas rregullores

Me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, hapi i radhës është zgjedhja e nënkryetarëve, dhe procedura për këtë hap është tashmë e përcaktuar qartë në Rregulloren e Punës së Kuvendit. Sipas një postimi të bërë nga Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), procesi për zgjedhjen e nënkryetarëve do të ndjekë këto…

Lajme

26/08/2025 13:56

Me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, hapi i radhës është zgjedhja e nënkryetarëve, dhe procedura për këtë hap është tashmë e përcaktuar qartë në Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Sipas një postimi të bërë nga Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), procesi për zgjedhjen e nënkryetarëve do të ndjekë këto hapa, raporton lajmi.net

“Kryetari i Kuvendit kërkon nga tri subjektet më të mëdha parlamentare (LVV, PDK, LDK) të propozojnë nga një kandidat/e për nënkryetar/e, ndërsa kandidati i LVV-së duhet të jetë i gjinisë tjetër nga Kryetari”, shkruan Jakaj.

Këta tre kandidatë të propozuar nga partitë më të mëdha votohen në një pako nga të gjithë deputetët. Pas votimit të kësaj tresheje, procedura vazhdon me përzgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë.

“Kryhet kjo procedurë dhe vazhdojmë me votimin e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë”, sqaroi më tej Jakaj.

Deputetët e komunitetit serb propozojnë një kandidat për nënkryetar, dhe një tjetër propozohet nga deputetët e komuniteteve të tjera joshumicë. Këta dy kandidatë gjithashtu votohen në një pako.

“Deputetët e komunitetit serb propozojnë një kandidat për nënkryetar, ashtu si edhe deputetët e komuniteteve tjera joshumicë, të cilët më pas zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve”, thuhet në postim.

Në rastet kur nuk ka propozime me shkrim, Rregullorja parashikon një zgjidhje:

“Kandidatët përcaktohen me short në prani të deputetëve të komuniteteve përkatëse, nën administrimin e Kryetarit të Kuvendit.”

Zgjedhja e nënkryetarëve përbën një hap kyç drejt funksionalizimit të plotë të Kuvendit, i cili për disa muaj ka qenë i bllokuar pas zgjedhjeve.

Postimi i plotë: 

Si duhet të ndjeket procedura për zgjedhjen e nënkryetarëve pas disa minutave?
Kryetari i Kuvendit kërkon nga tri subjektet më të mëdha parlamentare (LVV, PDK, LDK) të propozojnë nga një kandidat/e për nënkryetar/e, ndërsa kandidati i LVV-së duhet të jetë i gjinisë tjetër nga Kryetari.
Nënkryetarët e tre partive votohen në pako.
Kryhet kjo procedurë dhe vazhdojmë me votimin e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë.
Deputetët e komunitetit serb propozojnë një kandidat për nënkryetar, ashtu si edhe deputetët e komuniteteve tjera joshumicë, të cilët më pas zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.
Propozimet bëhen me shkrim, ndërsa nëse nuk ka propozime, kandidatët përcaktohen me short në prani të deputetëve të komuniteteve përkatëse, nën administrimin e Kryetarit të Kuvendit.
Nënkryetarët e dy komuniteteve votohen në pako./Lajmi.net/