Zgjatet paraburgimi për të akuzuarit në rastin e zjarrit tragjik në diskotekën në Koçan
Gjykata Penale në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar se është zgjatur masa e paraburgimit për disa prej të akuzuarve në rastin e zjarrit tragjik që ndodhi në diskotekën “Pulse” në Koçan, ku mbetën të vdekur disa persona. Në njoftimin zyrtar thuhet se aktakuza është dorëzuar tashmë te të gjithë të akuzuarit dhe përfaqësuesit e tyre…

Lajme
Gjykata Penale në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar se është zgjatur masa e paraburgimit për disa prej të akuzuarve në rastin e zjarrit tragjik që ndodhi në diskotekën “Pulse” në Koçan, ku mbetën të vdekur disa persona.
Në njoftimin zyrtar thuhet se aktakuza është dorëzuar tashmë te të gjithë të akuzuarit dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë. Me marrjen e saj, nis një afat tetëditor për parashtrimin e ankesave. Pas përfundimit të këtij afati, këshilli gjyqësor do të mblidhet për të shqyrtuar çështjen dhe do të informojë publikun për hapat e mëtejshëm.
Gjykata bëri të ditur gjithashtu se procedura do të vazhdohet nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup.
“Gjykata Penale në kuadër të këtij gjyqi, duke vepruar sipas propozimit të Prokurorisë Themelore Publike – Koçan për zgjatjen e masave për sigurimin e pranisë së të akuzuarve, vazhdoi masën e paraburgimit për të akuzuarit D.J. nga Koçani, T.J. nga Koçani, Xh.K. nga Shkupi dhe B.H. nga Shkupi. Ndërsa masa e arrestit shtëpiak u zgjat për të akuzuarit M.S., O.G., Lj.P., I.G., M.G., S.D., të gjithë nga Koçani, pastaj J.J. dhe Lj.G. nga Shkupi si dhe B.M. dhe Sh.H., nga Tetova dhe E.M. nga Vinica”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Penale.
Lidhur me aktakuzën konkrete me nr. KOOA 155/25, autoritetet informuan se më 2 korrik 2025, në orët e pasdites, shkresat e lëndës janë dorëzuar në gjykatë së bashku me të gjithë materialin dëshmues – përfshirë raportet e ekspertëve, dokumentacionin mjekësor dhe pajisjet teknike të sekuestruara gjatë hetimeve.
“Pastaj, rastet dhe të gjitha propozimet u futën në sistemin AKMIS, dhe të nesërmen akti iu shpërnda një këshilli për vlerësim.”.