Zëvendësi i Kurtit zotohet se për takimin me Lajçakun do t’i informojë Hoxhajn, Abdixhikun e Haradinajn
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka dhënë detaje për takimin që ka pasur sot me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Lajme
Me anë të një postimi në Facebook, Bislimi ka thënë se qëllimi i takimit ishte informimi i plotë nga ana e Lajçak dhe ekipit të tij mbi të gjitha takimet e deritanishme në dialog si dhe çështjet që janë ngritur në këtë proces, shkruan lajmi.net.
“Takimet ishin dakorduar në funksion si të informimit të plotë ashtu edhe përgatitjes më të mirë të palës kosovare”, ka shkruar ai.
Bislimi po ashtu ka thënë se me t’u kthyer në Kosovë do t’i informojë liderët e partive politike për përmbajtjen e diskutimeve.
Postimi i plotë i Bislimit:
Bashkë me ambasadorin në detyrë të Republikës së Kosovës në Bruksel, z. Astrit Zemaj dhe me sekretarin e parë të ambasadës, z. Fitor Murati patëm dy takime të njëpasnjëshme me z. Miroslav Lajçak dhe gjithë ekipin e tij. Qëllimi i takimit ishte informimi i plotë nga ana e z. Lajçak dhe ekipit të tij mbi të gjitha takimet e deritanishme në dialog dhe qështjet e ngritura, si dhe marrëveshjet e dakorduara mes palës kosovare dhe asaj serbe. Takimet ishin dakorduar në funksion si të informimit të plotë ashtu edhe përgatitjes më të mirë të palës kosovare.
Poashtu delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga Kryeministri Kurti, një nga 17 takimet e dy ditëve në vijim do ta ketë sërish me z. Lajçak. Në asnjërin nga këto takime nuk ka negociim, por janë takime informative.
Pas kthimit në Kosovë, menjëherë do informoj liderët e partive politike parlamentare për përmbajtjen e diskutimeve. /Lajmi.net/