“Zëri juaj i bashkuar e bëri këtë protestë madhështore” – Veteranët e UÇK-së falënderojnë qytetarët pas protestës në Tiranë

Pas përfundimit të protestës së organizuar në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve dhe ish-luftëtarëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur falënderimet e saj të sinqerta për të gjithë pjesëmarrësit. Në një postim zyrtar, organizata ka vlerësuar mbështetjen nga qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare –…

Lajme

17/10/2025 21:32

Pas përfundimit të protestës së organizuar në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve dhe ish-luftëtarëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur falënderimet e saj të sinqerta për të gjithë pjesëmarrësit.

Në një postim zyrtar, organizata ka vlerësuar mbështetjen nga qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare – Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi – dhe nga mërgata shqiptare nëpër botë. “Zëri juaj i bashkuar e bëri këtë protestë madhështore dhe të paharrueshme”, thuhet në mesazhin e veteranëve, transmeton lajmi.net.

Organizata falënderoi veçanërisht institucionet shqiptare, qendrore e lokale, për përkushtimin dhe ndihmën në organizimin e çdo detaji të protestës, si dhe Policinë e Shtetit për kujdesin dhe mbarëvajtjen shembullore gjatë gjithë aktivitetit.

Një falënderim i veçantë u shpreh edhe për mediat, “pa të cilat zëri ynë nuk do të kishte jehonën dhe madhështinë që meriton”.

Veteranët e UÇK-së përmbyllin mesazhin me thirrjen: “Bashkë për drejtësi, bashkë për të vërtetën”./lajmi.net/