Zemaj: Votova kundër raportit pasi dorëheqjet e Kurtit dhe ministrave u dorëzuan me vonesë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka deklaruar para mediave se ka votuar kundër raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve, pasi letra për dorëheqjen e kryeministrit dhe ministrave nuk është shpërndarë me kohë. “Nuk është shpërndarë dokumentacioni me kohë sa i përket aktit të dorëheqjes së kryeministrit dhe ministrave të cilët…

Lajme
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka deklaruar para mediave se ka votuar kundër raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve, pasi letra për dorëheqjen e kryeministrit dhe ministrave nuk është shpërndarë me kohë.
“Nuk është shpërndarë dokumentacioni me kohë sa i përket aktit të dorëheqjes së kryeministrit dhe ministrave të cilët janë zgjedhur si deputetë… Letër e cila do të duhej t’u shpërndahej gjithë qytetarëve, po ashtu KQZ-së dhe presidentes së vendit në ditën e certifikimit të rezultateve kushtimisht para certifikimit të rezultateve ashtu siç e parasheh neni 26 i ligjit për qeverinë e Kosovës”, ka thënë Zemaj.
Po ashtu Zemaj i cili ishte pjesë e Komisionit si përfaqësues i LDK-së, ka shtuar se moskoordinimi dhe vonesa në dorëzimin e dëshmive zyrtare ka ngritur shqetësime serioze për mundësinë që Albin Kurti të kthehet sërish në zyrën e kryeministrit, gjë që sipas tij do të përbënte shkelje të Kushtetutës.
“Ekzistonte rreziku që ish-kryeministri Kurti të kthehej sërish në zyrën e kryeministrit në objektin e Qeverisë, gjë që do të ishte shkelje kushtetuese”, tha ai. /Lajmi.net/