Zemaj: Qendrat e vaksinimit po shndërrohen në shpërndarës të infeksionit
Ish-ministri i Shëndetësisë nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, ka kritikuar Qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë për menaxhimin e qendrave të vaksnimit kundër COVID-19.

Lajme
Ai ka thënë se këto qendra po shndërrohen në shpërndarës të infeksionit, ndërsa ka shpërndarë edhe disa pamje të tollovisë së qytetarëve në qendrat e vaksinimit në Prizren e Gjakovë.
“Qeveria Kurti dhe “Mindil Vitia” s’kanë as plan dhe as zgjidhje për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve dhe jetës së tyre. Kjo Qeveri ka hall tjetër, luksin e zyrave të qeverisë, agjendën populliste për vota dhe fushatën zgjedhore”, ka shkruar Zemaj ndër të tjerash, transmeton lajmi.net.
Ai ka thënë se Qeveria Kurti është duke bërë praktikë me pushtet dhe shëndet. /Lajmi.net/
Postimi i plotë:
Dërgimi në rrugën e infeksionit e jo parandalimit me vaksinë. Çka është ky, menaxhim? JO! Ky është tmerr. Deri sa qendrat e vaksinimit po shndërrohen në shpërndarës të infeksionit, sikurse pamjet e sotme në Prizren e Gjakovë, ku edhe ashtu kemi rritje enorme brenda ditësh të rasteve spitalore e fatkeqësisht edhe numri i vdekjeve po rritet frikshëm.
Qeveria Kurti dhe “Mindil Vitia” s’kanë as plan dhe as zgjidhje për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve dhe jetës së tyre. Kjo Qeveri ka hall tjetër, luksin e zyrave të qeverisë, agjendën populliste për vota dhe fushatën zgjedhore. Normal, edhe po bëjnë “praktikë”, me pushtet dhe me shëndet!