Zemaj mikpritës në takim lamtumirës me një nga zyrtarët kryesorë të NATO-s
Drejtori i Departamentit për NATO në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Astrit Zemaj, ka pritur në një takim lamtumire Gjeneral Brigadier Sven Lange, Drejtor i NALT në kuadër të NATO-s, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Kosovë. Në njoftim theksohet se gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i ngushtë dhe i…
Lajme
Drejtori i Departamentit për NATO në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Astrit Zemaj, ka pritur në një takim lamtumire Gjeneral Brigadier Sven Lange, Drejtor i NALT në kuadër të NATO-s, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Kosovë.
Në njoftim theksohet se gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i ngushtë dhe i vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe NALT, bashkëpunim i cili ka kontribuar drejtpërdrejt në avancimin e kapaciteteve të vendit dhe në rritjen e ndërveprueshmërisë me strukturat e NATO-s.
Me këtë rast, Zemaj shprehu mirënjohjen për lidershipin dhe angazhimin e Lange gjatë mandatit të tij në Kosovë, si dhe për kontributin e tij në përmbushjen e standardeve që e afrojnë Republikën e Kosovës me synimin strategjik të anëtarësimit në NATO.
“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për të forcuar më tej bashkëpunimin me NATO-n dhe vendet aleate, duke e konsideruar këtë bashkëpunim thelbësor për sigurinë dhe integrimin e saj të plotë në Aleancën Veri-Atlantike”.