Zemaj kërkon sa më parë të shpallet data e zgjedhjeve: Kemi humbur shumë gjatë këtij viti, emri i kësaj bllokade sot mori përgjigjen me votë

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj sot ka folur për media pasi ka dështuar të formohet Qeveria Konjufca 1. Ai tha se është parë shfaqja teatrale në fat të keq të Kosovës nga LVV, ndërsa siç tha Zemaj loja me numra për këto 8 muaj dhe dështimi për të formuar Qeverinë e re ishte paralajmërim i…

Lajme

19/11/2025 15:47

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj sot ka folur për media pasi ka dështuar të formohet Qeveria Konjufca 1.

Ai tha se është parë shfaqja teatrale në fat të keq të Kosovës nga LVV, ndërsa siç tha Zemaj loja me numra për këto 8 muaj dhe dështimi për të formuar Qeverinë e re ishte paralajmërim i LDK-së dhe ka shpërfaqur sot tendencën e VV-së për kapjen e institucioneve, keqpërdorimit të parasë publike por edhe të pushtetit demokratik në pafundësi.

“Kuvendi sot nuk miratoj edhe mandatarin e dytë dhe vendi po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, dhe ne bëjmë thirrje për zgjedhje të lira, demokratike, pa tendencë siç kemi parë këto ditë në vazhdimësi nga VV si grup parlamentar.  Është e vërtetë që është lajm i keq por ka qenë tëpër indikative se kjo do të ndodh, ata që i kanë mashtru qytetarët se i kanë numrat është VV. Nga përfundimi i zgjedhjeve të 9 shkurtit ata kanë deklaruar se e kanë shumicën, atë shumicë u dëshmu që nuk e kanë pas dhe nuk e kishin as sot. Më shumë u kërkua një qeveri kalimtare ajo e cila as nuk u shpërfill si diskutim që ishte propozim i LDK-së, sesa për një qeveri të rregullt që i shërben qytetarëve dhe interesave të tyre”, ka thënë Zemaj.

Ai ka thënë qe nuk duhet të humbet asnjë minutë për të shkuar drejt zgjedhjeve dhe më pas krijimit të institucioneve në vend.

“Ne kemi humbur shumë gjatë këtij viti, por emri i përveçëm i kësaj bllokade sot e mori përgjigjen me votë në Kuvendin e Kosovës. E thërrasim edhe presidenten e Kosovës që ti respektoj afatet kushtetuese, dhe mos të lejoj asnjë ndërhyrje në vendimmarrjen e saj. Me votimin kundër të mandatarit të dytë, mendojmë që ka përfunduar gjithçka dhe çdo thirrje e çdo seance përveç gjendjeve emergjente është kamuflim dhe tendencë për të krijuar imazhin e një fajtori, që tashmë nuk ekziston në mendjen e asnjë qytetari”, ka thënë Zemaj. /Lajmi.net/