Zemaj: Familjet dhe fermerët ende nuk janë kompensuar për dëmet nga vërshimet, Qeveria po përsërit premtimet
Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka kritikuar Qeverinë, duke thënë se ende nuk janë kompensuar familjet, fermerët dhe qytetarët që pësuan dëme nga vërshimet e viteve të kaluara, ndërsa tani po premtohen kompensime për dëmet e reja. Përmes një postimi në Facebook, Zemaj tha se është e papranueshme që…
Lajme
Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka kritikuar Qeverinë, duke thënë se ende nuk janë kompensuar familjet, fermerët dhe qytetarët që pësuan dëme nga vërshimet e viteve të kaluara, ndërsa tani po premtohen kompensime për dëmet e reja.
Përmes një postimi në Facebook, Zemaj tha se është e papranueshme që institucionet të dalin sërish me premtime për evidentimin dhe kompensimin e dëmeve, kur sipas tij, shumë të dëmtuar nga fatkeqësitë e mëparshme ende nuk kanë marrë mbështetjen e premtuar.
“Akoma nuk janë kompensuar asnjë familje, asnjë fermer dhe asnjë qytetar për dëmet e shkaktuara nga vërshimet e viteve të kaluara. Sot, e njëjta qeveri del sërish me premtime se do të evidentojë dëmet e reja dhe do t’i kompensojë të dëmtuarit”, ka shkruar Zemaj.
Deputeti i LDK-së e cilësoi këtë qasje si hipokrizi dhe keqmenaxhim, duke akuzuar Qeverinë për mungesë të veprimeve konkrete.
“Çfarë hipokrizie! Çfarë paaftësie dhe keqmenaxhimi! Premtimet tuaja boshe nuk kanë më asnjë peshë, sepse qytetarët gjykojnë nga veprat, jo nga propaganda”, ka përfunduar Zemaj. /Lajmi.net/