Zelensky thotë se po bën trysni për këmbimin e të burgosurve, por e akuzon Putinin për “lojëra të ndyra”

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se do t’i vazhdojë përpjekjet për këmbimin e të burgosurve me Moskën, megjithëse shprehu dyshime se do të ketë sukses. “Ukraina vazhdon të bëjë gjithçka që është e mundur për ta siguruar lirimin e robërve tanë të luftës dhe kthimin e trupave të luftëtarëve tanë të rënë”, tha…

Bota

09/06/2025 09:39

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se do t’i vazhdojë përpjekjet për këmbimin e të burgosurve me Moskën, megjithëse shprehu dyshime se do të ketë sukses.

“Ukraina vazhdon të bëjë gjithçka që është e mundur për ta siguruar lirimin e robërve tanë të luftës dhe kthimin e trupave të luftëtarëve tanë të rënë”, tha Zelensky në adresimin e tij të përnatshëm me video.

“Fatkeqësisht, listat e plota nga Rusia për këmbimin e mbi 1.000 njerëzve, siç ishte rënë dakord në Stamboll, ende nuk janë dorëzuar. Si zakonisht, pala ruse po përpiqet sërish t’i shndërrojë edhe çështjet e tilla në lojë të ndyrë politike dhe informacioni”, shtoi ai.

Nëse Kremlini “nuk i përmbahet marrëveshjeve, madje as për çështje humanitare, kjo do t’i vërë në pikëpyetje të madhe të gjitha përpjekjet ndërkombëtare – veçanërisht ato të Shteteve të Bashkuara – për bisedime dhe diplomaci”.

Ndërkohë, Zelensky i tha rrjetit televiziv amerikan ABC se vetëm “trysnia e madhe” nga Uashingtoni dhe Evropa mund ta detyrojë presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, të lëshojë pe.

“Pastaj, ata do ta ndalin luftën”, tha ai.

Të dielën, zyrtarët ukrainas hodhën poshtë akuzat e Rusisë se Kievi po e zvarriste këmbimin e të burgosurve të luftës dhe kthimin e trupave të ushtarëve të rënë.

Këshilltari i Kremlinit, Vladimir Medinsky, pretendoi se Ukraina kishte shtyrë papritur si shkëmbimin e të burgosurve, ashtu edhe pranimin e trupave të ushtarëve për kohë të pacaktuar.

Medinsky tha se Rusia tashmë i kishte dorëzuar Ukrainës një listë me 640 të burgosur – duke i dhënë përparësi të plagosurve, të sëmurëve rëndë dhe të rinjve – për ta nisur procesin e shkëmbimit.

Shtabi Koordinues i Ukrainës për Trajtimin e Robërve të Luftës deklaroi se pretendimet e Rusisë nuk përputhen me realitetin apo marrëveshjet e mëparshme.

Sipas zyrtarëve ukrainas, megjithëse të dyja palët ishin pajtuar në parim për kthimin e trupave të rreth 12.000 ushtarëve të vdekur pas bisedimeve për paqe në Stamboll, nuk ishte caktuar asnjë datë specifike për këmbimin.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës akuzoi Moskën se po bën përpjekje për t’i “rishkruar” marrëveshjet e arritura në Stamboll dhe për krijimin e “pengesave artificiale dhe deklaratave të rreme” për të shtyrë procesin. Ministria paralajmëroi se nëse Rusia nuk i përmbush premtimet e veta, e vë në pikëpyetje besueshmërinë e ekipit negociator rus.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u ka kërkuar të dyja palëve ta përfundojnë luftën, e cila nisi në shkurt 2022.

Kievi është pajtuar me thirrjen e SHBA-së për një armëpushim 30-ditor. Moska ka kundërshtuar dhe ka thënë se së pari duhet të përmbushen disa kushte, të cilat janë të papranueshme për Ukrainën. REL