Zelensky thotë se përplasja e tij me Trumpin ishte për “keqardhje”
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të martën se përplasja e tij me presidentin amerikan, Donald Trump, ka qenë për “keqardhje” dhe që është gati të punojë me homologun e tij amerikan për të arritur paqe afatgjatë, dhe që është koha për t’i bërë gjërat “siç duhet”. “Takimi ynë në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë,…

Bota
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të martën se përplasja e tij me presidentin amerikan, Donald Trump, ka qenë për “keqardhje” dhe që është gati të punojë me homologun e tij amerikan për të arritur paqe afatgjatë, dhe që është koha për t’i bërë gjërat “siç duhet”.
“Takimi ynë në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë, të premten, nuk ka shkuar siç ishte planifikuar. Është për keqardhje që u zhvillua ashtu. Është koha t’i bëjmë gjërat siç duhet. Ne do të dëshironim bashkëpunim të mëtejmë dhe komunikim konstruktiv”, ka thënë lideri ukrainas përmes një postimi në X – dikur Twitter.
Këto janë deklaratat e para të Zelenskyt pas pezullimit të ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën.
“Ne e vlerësojmë shumë sa shumë ka bërë Amerika për t’i ndihmuar Ukrainës për të ruajtur sovranitetin dhe pavarësinë”, ka shkruar Zelensky.
“Ne e kujtojmë kohën kur gjërat kanë ndryshuar, pasi presidenti Trump na ka dhënë raketat Javelin. Jemi mirënjohës”.
Zelensky ka thënë se është i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen për mineralet e rralla, të cilën administrata Trump e konsideron shumë të rëndësishme në përpjekjet për dhënie fund të luftës.
“Sa i përket marrëveshjes për minerale dhe siguri, Ukraina është e gatshme ta nënshkruajë atë në çdo kohë dhe format të përshtatshëm”, ka thënë Zelensky.
“Ne e shohim këtë marrëveshje si hap drejt garancive më të mëdha dhe garancive solide të sigurisë, dhe unë njëmend shpresoj që do të funksionojë”.
Presidenti ukrainas ka thënë se është i gatshëm për “armëpushim në qiell – ndalesë në raketa, dronë me rreze të gjatë, bomba në sektorin e energjisë dhe infrastrukturën tjetër civile – dhe armëpushim të menjëhershëm në det, nëse edhe Rusia vepron njëjtë”.
Zelensky ka diskutuar me tone të ashpra me Trumpin dhe nënpresidentin amerikan JD Vance, lidhur me qëndrimin e Uashingtonit për luftën, dhe situata është përshkallëzuar sikur asnjëherë më parë.
Ky takim është zhvilluar disa javë pasi Trump e ka quajtur homologun ukrainas “diktator”, derisa Zelensky ka thënë se presidenti republikan është i rrethuar nga dezinformatat ruse. REL