​Zelensky refuzon të nënshkruajë ofertën e Trump

Përkundër presionit të fortë nga Uashingtoni, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka refuzuar të nënshkruajë një projekt-marrëveshje që do të dorëzonte gjysmën e mineraleve të rralla të Ukrainës te kompanitë amerikane në këmbim të ndihmës ushtarake, sipas dy personave të njohur me negociatat. “Marrëveshja nuk është nënshkruar ende. Palët janë ende duke diskutuar detajet,” tha një…

Bota

15/02/2025 16:30

Përkundër presionit të fortë nga Uashingtoni, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka refuzuar të nënshkruajë një projekt-marrëveshje që do të dorëzonte gjysmën e mineraleve të rralla të Ukrainës te kompanitë amerikane në këmbim të ndihmës ushtarake, sipas dy personave të njohur me negociatat.

“Marrëveshja nuk është nënshkruar ende. Palët janë ende duke diskutuar detajet,” tha një zyrtar ukrainas i cili kërkoi të mos emërohej për shkak të ndjeshmërisë së bisedimeve.

“Avokatët janë ende duke punuar për të. Në propozimin e tyre, amerikanët përshkruan një mekanizëm shumë kompleks me të cilin ata duan të marrin 50 për qind të mineraleve të Ukrainës.”

Ai shtoi gjithashtu se plani mund të dështojë sepse mund të jetë në kundërshtim me legjislacionin ukrainas.

Kievi është përpjekur prej disa kohësh të interesojë presidentin amerikan, i njohur për qasjen e tij pragmatike, që ta shohë pasurinë minerale të Ukrainës si një arsye të fortë për mbështetjen e vazhdueshme në luftën kundër agresionit rus.

Bashkëpunëtorët e ngushtë të Donald Trump kanë sugjeruar se marrëveshja për mineralet mund të shërbejë si një lloj “mburojë ekonomike” që do t’i tregonte Moskës se SHBA ka interesa konkrete në Ukrainë.

Në fillim të kësaj jave, Trump tha se Ukraina duhet të sigurojë 500 miliardë dollarë nga burimet e saj minerale për të kompensuar ndihmën ushtarake dhe civile amerikane që nga fillimi i luftës. Pavarësisht gjithçka, negociatat janë ende në vazhdim dhe një marrëveshje ende nuk është arritur.

“Pala ukrainase i ka dërguar propozimin e saj palës amerikane, kështu që tani ata janë duke pritur për reagime. Ndërsa amerikanët po analizojnë propozimet e Ukrainës, ne po shqyrtojmë të tyren,” shpjegoi zyrtari.

Një problem shtesë me draftin amerikan, pretendohet se qëndron në faktin se ai nuk përfshin garanci specifike të sigurisë për Ukrainën.

I vetmi komponent i mundshëm i sigurisë do të ishte vendosja e trupave amerikane për të mbrojtur vendet e minierave, por vetëm në rast të një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

Të enjten, takimi i presidentit ukrainas me nënpresidentin amerikan JD Vance në Konferencën e Sigurisë në Munih u shty nga mëngjesi në mbrëmje, sepse ukrainasit donin të bënin ndryshime në minutën e fundit në marrëveshjen e propozuar për mineralet.

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio dhe Zelensky diskutuan këtë temë në një pritje me zyrtarë amerikanë në Munih mbrëmjen e djeshme, sipas një personi të njohur me detajet e bisedës.

Biseda la të kuptohej, edhe pse nuk ishte thënë në mënyrë eksplicite, se Shtetet e Bashkuara do të mbronin interesat e tyre në një “sipërmarrje të përbashkët biznesi”.

Sipas ligjvënësve amerikanë që u takuan me Zelensky në Munih, presidenti ukrainas theksoi se ai po studionte me kujdes propozimin e SHBA për t’u siguruar që ai ishte në përputhje me ligjet e Ukrainës.

“Unë mendoj se ai veproi me përgjegjësi,” tha senatori republikan Thom Tillis.

Ai tha se do ta studionte propozimin në detaje dhe do të shihte nëse ishte në përputhje me ligjet tona, kushtetutën dhe çështje të ngjashme”.

Një nga përkrahësit kryesorë të marrëveshjes, senatori Lindsey Graham, një aleat i ngushtë i Donald Trump, tha se ai po përpiqej të bindte presidentin për rëndësinë e Ukrainës duke theksuar pasurinë e saj minerale. Madje, thotë ai, i ka treguar një hartë me vendndodhjet e gjetjeve më të vlefshme.

“Është vendimtare për mua të tregoj se Ukraina ka vlerë të vërtetë”, tha Graham në margjinat e konferencës së Munihut.

“Trump tani e sheh Ukrainën ndryshe… Unë i thashë: “Këta njerëz janë ulur në një minierë ari! Shikoni hartën!”

Në fillim të kësaj jave, sekretari amerikan i Thesarit Scott Bessent vizitoi Kievin dhe i prezantoi Zelenskyt një projekt-marrëveshje bashkëpunimi ekonomik, i cili përfshinte shfrytëzimin e mineraleve të rralla.

Pas takimit me Bessent, Zelensky deklaroi: “Ne duam ta nënshkruajmë këtë marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur. Koha nuk është aleati ynë dhe nuk duam ta humbim atë”.

“Kjo marrëveshje do të jetë një sinjal i fortë për udhëheqjen ruse për angazhimin e Amerikës ndaj Ukrainës. Do të jetë gjithashtu një mesazh i qartë për popullin amerikan se paratë e investuara në Ukrainë kanë një themel konkret ekonomik, vlera të përbashkëta dhe interesa sigurie,” tha Bessent.

Edhe para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, Ukraina filloi të promovonte pasurinë e saj minerale si një bazë potenciale për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara.

Kështu, në shtator, Zelensky i prezantoi Trump të ashtuquajturën “plani i fitores”, në të cilin Ukraina u ofroi partnerëve të saj strategjikë mbrojtje të përbashkët të lëndëve të para kryesore, si dhe investime të përbashkëta në eksplorimin dhe shfrytëzimin e tyre.

Sipas të dhënave nga Ministria e Burimeve Natyrore dhe Mjedisit të Ukrainës, Ukraina zotëron depozita të 22 prej 50 mineraleve të identifikuara nga administrata amerikane si kyçe për sektorët e teknologjisë dhe mbrojtjes. Ndër to dallohen depozitat e pasura të grafitit, litiumit, titanit, beriliumit dhe uraniumit.

Këto burime janë thelbësore për prodhimin e baterive, sistemeve të radarëve dhe teknologjisë së armaturës, dhe në të njëjtën kohë mund të zvogëlojnë varësinë e Amerikës nga burimet kineze.

“Zhvillimi i sektorit të minierave të Ukrainës jo vetëm që do të forconte ekonominë e Ukrainës dhe aftësitë mbrojtëse, por gjithashtu do të ndihmonte aleatët perëndimorë të siguronin vetë-mjaftueshmërinë strategjike,” tha Maria Repko, zëvendësdrejtore e Qendrës për Strategjinë Ekonomike në Kiev.

Por shumë nga këto burime ndodhen në zona nën kontrollin rus dhe Kremlini gjithashtu pretendon për to.

“Këto burime janë thelbësore për fuqinë industriale dhe ushtarake të Rusisë, sepse ato do t’i mundësonin atyre të arrijnë vetë-mjaftueshmërinë ekonomike dhe të zvogëlojnë varësinë e tyre nga furnizimet perëndimore,” përfundon Repko.