Zelanda e Re raporton vdekjen e parë që mendohet të jetë e lidhur me vaksinën Pfizer

EMA u ka bërë thirrje njerëzve që të vazhdojnë të vaksinohen, pasi vaksinat i ndihmojnë që njerëzit të mos sëmuren rëndë me Covid-19.

Lajme

30/08/2021 12:16

Zelanda e Re ka raportuar vdekjen e një gruaje që mendohet të jetë e lidhur me vaksinën Pfizer, shkruan CNN.

Një bord i pavarur i monitorimit të sigurisë së vaksinave tha se vdekja e gruas ishte “ndoshta” për shkak të miokarditit ose inflamacionit të muskujve të zemrës, transmeton lajmi.net.

Ai gjithashtu vuri në dukje se kishte probleme të tjera mjekësore që mund të kishin “ndikuar në rezultatin pas vaksinimit”.

Shkaku zyrtar i vdekjes ende nuk është përcaktuar.

Rregullatorët evropianë thonë se miokarditi është një efekt anësor “shumë i rrallë” dhe se përfitimet e vaksinës tejkalojnë rreziqet. Megjithatë, Bordi i Pavarur i Monitorimit të Sigurisë së Vaksinave Covid-19 tha që miokarditi ishte “ndoshta për shkak të vaksinimit”.

“Ky është rasti i parë në Zelandën e Re ku një vdekje në ditët pas vaksinimit është lidhur me vaksinën Pfizer COVID-19. Ndërsa Qendra për Monitorimin e Reagimeve Anësore ka marrë raporte të tjera të vdekjeve të personave që janë vaksinuar kohët e fundit, asnjë nuk konsiderohet i lidhur me vaksinimin,” thuhej në një deklaratë.

Vdekja e gruas është duke u hetuar më tej dhe një mjek ligjor do të vendosë për rastin. Zyrtarët nuk kanë dhënë detaje të tjera, përfshirë moshën e gruas.

Agjencia Evropiane e Barnave ka theksuar miokarditin si një efekt anësor “shumë të rrallë” të vaksinave Covid të bëra nga Pfizer dhe Moderna, duke shtuar se efektet anësore ishin më të zakonshme tek meshkujt e rinj. Simptomat e miokarditit mund të përfshijnë dhimbje në gjoks, gulçim dhe rrahje jonormale të zemrës.

Ekspertët po i bëjnë thirrje kujtdo që përjeton këto simptoma në ditët pas vaksinimit që të kërkojë menjëherë kujdes mjekësor.

EMA u ka bërë thirrje njerëzve që të vazhdojnë të vaksinohen, pasi vaksinat i ndihmojnë që njerëzit të mos sëmuren rëndë me Covid-19. /Lajmi.net/