Zeka: Trendafilova me vizitat në Kosovë po provokon e po bën nxitje të urrejtjes

Gazetari Milaim Zeka ka pohuar se e dinte vendimin që do të merret nga Gjykata Speciale për të rrëzuar mocionin e mbrojtjes në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Në emisionin “DPT Fidani” të Klan Kosovës, ai ka theksuar se kjo ishte e pritshme pasi kjo gjykatë,…

Lajme

16/07/2025 19:09

Gazetari Milaim Zeka ka pohuar se e dinte vendimin që do të merret nga Gjykata Speciale për të rrëzuar mocionin e mbrojtjes në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Në emisionin “DPT Fidani” të Klan Kosovës, ai ka theksuar se kjo ishte e pritshme pasi kjo gjykatë, siç tha ai, nuk e kishte lejuar Thaçin të jetë në varrimin e babait të tij, si dhe Jakup Krasniqin në varrimin e të afërmve, por edhe Nasim Haradinajn në varrimin e vëllait të tij.

Ndër të tjera, Zeka theksoi se kryetarja e Speciales, Ekaterina Trendafilova, me vizitat e saja në Kosovë nxit urrejtje dhe trazira.

“Mbi bazën e veprimeve të kësaj gjykate, unë kam ardhur në atë përfundim. Kryetarja e Gjykatës, Ekaterina Trendafilova, vjen këtu takon politikanë, mban konferenca të shtypit. A ke parë në ndonjë vend evropian që kryetarja e Gjykatës del dhe mban konferencë për shtyp? I provokon njerëzit. Duke ardhë në mes të Prishtinës, duke mbajt konferenca për shtyp, ajo ka bërë një nxitje të urrejtjes, për të bërë poena rreth vetes dhe t’i thotë trupit gjykues: ‘A po i sheh ata talibanët e Kosovës si ma rrethuan hotelin? Kanë dashtë të më vrajnë’”.

“Absolut, po vjen këtu për trazira dhe eskalim të situatës. Ajo vetëm ka ardhur për të provokuar. Dhe kë të provokojë? Organizatën e Veteranëve të Luftës të UÇK-së, e cila kurrë nuk ka pasë përkujdesje nga qeveritë tona, e cila do të duhej me organizu protesta vetëm para Qeverisë dhe Kuvendit, por kurrë përpara kryetares së Gjykatës Speciale”, ka thënë Zeka në Klankosova.