Zeka: Nëse del vetëm një dëshmitar dhe e përmend emrin tim, unë jap dorëheqje prej jetës publike

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, ka folur pas gjykimit që u mbajt sot.

Lajme

29/10/2018 16:52

Deputeti i Nisma Socialdemokrate, Milaim Zeka, ka folur për lajmi.net pas gjykimit që u mbajt sot, ku ai së bashku me Ilir Krasniqin e Edmond Kërliun akuzohen për mashtrim e shpëlarje parash.

Zeka ka thënë se e tërë kjo është një çështje e montuar, pasi që sipas tij, është vetë Ilir Krasniqi ai që e kë përfshirë Zekën në tërë këtë proces.

Tutje Zeka ka thënë se nëse ai do të ishte bashkëpunëtorë me Krasniqin, nuk do ta denonconte në prokurori e polici siç thotë Zeka që e ka bërë një gjë të tillë.

“Cili njeri më ka involvuar mua në punën e vizave përpos një kriminel ordiner, një mashtrues, rrenc, njeri i degjeneruar me emrin Ilir Krasniqi të cilin unë e kam denoncuar në Polici, unë e kam çuar në Polici, unë i kam çu krejt argumentet, krejt faktet se çka i ka për Ilir Krasniqin i ka krejt prej Milaim Zekës. Me fatura me pagesa me të gjitha. Atëherë lind pyetja, a jam budalla unë me e çun ë polici e në prokurori me denoncua një njeri i cili paska qenë bashkëpronar me mua?. Në asnjë mënyrë”, deklaroi Zeka për lajmi.net.

Ai ka thënë se nëse në mesin e 920 dëshmitarëve vetëm një prej tyre deklarohet se ka marrë para nga ai, Zeka thotë se do të jap dorëheqje nga posti i deputetit dhe jeta publike.

“Edhe një herë po them, në qoftë se del një dëshmitar jo që i kam marrë para, por vetëm që thotë se i kam thënë lyp vizë unë jap dorëheqje prej deputetit edhe prej jetës publike”, deklaroi tutje Zeka, i cili shtoi se një deklaratë të tillë e ka thënë vetëm Krasniqi.

“920 vetë të mashtruar, kush po thotë se e ka mashtruar Miliam Zeka në tërë këta dëshmitar, cili njeri, cili dëshmitar. Këtë e ka thënë vetëm Ilir Krasniqi”, u shpreh Zeka për lajmi.net.

Duke qenë se Zeka është edhe shtetas i Suedisë, ai ka thënë se ambasada suedeze është e njoftuar me gjithë këtë rast, por që siç u shpreh Zeka, nuk dëshiron përkrahje por drejtësi.

Zeka thotë se po qëse do të ishte fajtorë për ndonjë gjë ai edhe do të ishte larguar nga Kosova.

“Ambasada suedeze është e njoftuar me rastin. Unë jam duke kërkuar drejtësi nuk jam duke kërkuar mbështetje. Unë jam duke kërkuar fakte edhe argumente. Me pas bërë unë diçka, unë nesër isha çu edhe isha ik prej këtij vendi se i kam rugët e hapura dhe të gjitha mundësitë i kam për me ik”, deklaroi ai.

Zeka po ashtu pretendon se e tërë kjo ngjarje është e montuar nga Ilir Krasniqi.

“Po e them edhe një herë krejt kjo ka qenë e kurdisur. Një njeri i cili ka rrejt në emision televiziv te unë, por që unë duke zbatuar etikën e gazetarisë perëndimor emrin Fatmir Limajt, një njeri i cili në emision televiziv ka rrejt edhe ka thënë Fatmir Limaj mi ka kërkuar 3 milionë euro për një projekt mua edhe një delegacioni gjerman. Njeriu i cili kurrë në jetë nuk e ka takuar Fatmir Limajn. Edhe kur nxirren audio-incizimet del edhe thotë jo unë kurrë nuk e kam përmend Fatmir Limajn, këtë e ka shpik Milaim Zeka, ama dëgjohet edhe një këngëtare tjetër e famshme shqiptare që është në makinë me mua dhe Ilirin, kur ai e akuzon Fatmir Limajn për një gjë të tillë. E akuzon për para edhe një qytetar tjetër. Do me thënë kjo që është duke ndodhur në këtë vend është e dhimbshme”, ka treguar Zeka për lajmi.net.

Kujtojmë se herën e kaluar kishte dështuar mbajtja e kësaj seance gjyqësore për arsye se në atë kohë Milaim Zeka ndodhej në paraburgim në lidhje me një rast tjetër, ku ai dyshohet për kanosje ndaj një prokurori.

Arsyeja e dështimit të seancës ishte për shkak se Gjykata nuk kishte lëshuar urdhëresë për sjelljen e tij në seancë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, kundër të pandehurve Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, për veprat penale mashtrimi, shmangia nga tatimi si dhe për veprën penale pastrimi i parave.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të pandehurit Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, që nga viti 2016 e deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, fillimisht të pandehurit e lartcekur më 02.06.2016, kanë regjistruar biznesin si agjenci punësimi, ku kanë paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, ashtu që të pandehurit Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, kanë mashtruar 900 aplikues për viza pune.

Të pandehurit Prokuroria i akuzon se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale mashtrimi, si dhe ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer edhe veprën penale shmangia nga tatimi.

Gjithashtu, të pandehurit Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, sipas Prokurorisë kanë kryer veprën penale pastrimi i parave lidhur me veprat penale mashtrimi dhe shmangia nga tatimi. /Lajmi.net/