Zeka – Kurtit: Vendimi për rrymën është politik – pse nuk u tregove bizneseve para zgjedhjeve?

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka ka deklaruar se vendimi për kalimin e bizneseve në treg të lirë të energjisë elektrike, është kryekëput politik. Ai tha se sikur të mos ishte kështu, vendimi i cili është marrë në vjeshtën e vitit të kaluar do të kumtohej në atë kohë. Por, Zeka tha se…

Lajme

30/05/2025 08:56

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka ka deklaruar se vendimi për kalimin e bizneseve në treg të lirë të energjisë elektrike, është kryekëput politik.

Ai tha se sikur të mos ishte kështu, vendimi i cili është marrë në vjeshtën e vitit të kaluar do të kumtohej në atë kohë.

Por, Zeka tha se qeveria e asaj kohe ka pritur përfundimin e zgjedhjeve në mënyrë që ky vendim të mos ketë asnjë ndikim në fushatën parazgjedhore e zgjedhore.

“Vendimi është kryekëput politik për shkak se u prit përfundimi i datës së zgjedhjeve që të mos ndikojë në asnjë mënyrë në fushatë. Në takimet tona të para me përfaqësuesit që morën këtë vendim na u tha se vendimi është marrë në vjeshtën e vitit të kaluar. Super! Por, pse s’e bëtë publike? Vendimin e keni marrë në shtator a tetor, një vendim që hyn në fuqi më 1 qershor, e që afekton edhe planifikimin buxhetor e financiar të bizneseve, do të duhej të njoftoheshin një vit më herët”, tha drejtori i OEAK-së, Arian Zeka.

Ai tha se askush nuk e ka ditur deri pas përfundimit të zgjedhjeve se një vendim i tillë është marrë.

“Ne kishim zgjedhje parlamentare më 9 shkurt. Deri atëherë, askush s’e ka ditë që më 1 qershor do të fillojë liberalizimi i tregut të energjisë. Janë katër vite që nga viti 2021, dhe janë po aq vite prej vitit 2021 numëruar së prapthi, deri më 2017. Kjo qeveri ka po aq përgjegjësi, dhe kjo Zyrë e Rregullatorit të Energjisë, sa kanë pasur institucionet në të kaluarën, sepse në mënyrë proporcionale periudha është e ndarë në mënyrë të barabartë”, tha Zeka në Rubikon të Klan Kosovës.

Zeka shtoi se ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila siç u shpreh ai është e akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ka deklaruar se “odat ekonomike s’pakan bërë punën e tyre për t’i njoftuar bizneset për kalimin në tregun e lirë të energjisë elektrike”.

Më tej, ai tha se të mërkurën kanë zhvilluar takim me përfaqësues të institucioneve por edhe me të bizneseve, dhe thotë se aty u akuzuan “se po e kritikojmë qeverinë vazhdimisht”.

Por shtoi se “e mira ishte që aty kishte edhe përfaqësues të bizneseve, dhe ajo që thanë ata nuk dallonte në asnjë pikë me atë që e thonë përfaqësuesit e odave ekonomike”.