Zbulohet një laborator droge në Prizren, arrestohen tre persona – Prokuroria jep detaje

Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Gjakovë, pas një hetimi disa mujor duke zbatuar masat e veçanta hetimore, sot me datë 23.04.2025 kanë zhvilluar një aksion në Prizren, ku është zbuluar një laborator droge dhe janë arrestuar tre (3)…

Lajme

23/04/2025 16:18

Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Gjakovë, pas një hetimi disa mujor duke zbatuar masat e veçanta hetimore, sot me datë 23.04.2025 kanë zhvilluar një aksion në Prizren, ku është zbuluar një laborator droge dhe janë arrestuar tre (3) persona të dyshuar.

 

Të pandehurit, nga data e pa vërtetuar dhe në vazhdimësi deri më datë 23.04.2025, në Prizren, pa autorizim dhe në bashkëkryerje, kultivojnë bimën “Kanabis Sativa” (Mariuhanë), me qëllim të prodhimit të narkotikëve ose substancave psikotrope, në atë mënyrë që në një objekt të mbyllur krijojnë një laborator të brendshëm “In door”, ku kanë kultivuar dhe kanë rritur rreth 200 bimë “Kanabis Sativa”, kanë bërë tharjen e tyre, dhe i kanë përgatitur për shitje në treg. Me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK- së.

 

Po ashtu, të njëjtit, pa autorizim dhe në bashkëpunim, me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, kultivojnë bimën “Kanabis Sativa” me qëllim të ofrimit për shitje, e cila me ligj është shpallur si narkotikë, në atë mënyrë që të pandehurit pasi sigurojnë narkotikun nga kultivimi që i bëjnë vet bimës, planifikojnë shitjen e narkotikëve personave të ndryshëm në tërë Republikën e Kosovës. Me këto veprime në bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK- së.

 

Gjatë këtij aksioni, është kontrolluar objekti, me ç’rast Prokurori i Shtetit, përveç bimëve “Kanabis Sativa” dhe materialeve tjera përcjellëse që kanë shërbyer për kultivimin e narkotikëve, ka sekuestruar edhe objektin banesor që ka shërbyer për kultivimin e narkotikëve.

 

Tre të pandehurit e arrestuar, gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe brenda afatit ligjor për të njëjtit Departamenti i Krimeve të Rënda, do të parashtroj kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.

Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.