Zbulohen detaje të reja rreth lidhjes mes Jonida Vokshit dhe Capital T

Pak ditë pasi e pamë në premierën e filmit “7 ditë”, prezantuesja e emisionit “Thurje”, Jonida Vokshi, flitet se ka nisur një histori të re dashurie me reperin simpatik nga Kosova, Trim Ademi, i njohur si Capital T.

ShowBiz

07/12/2016 13:05

Një postim në faqen “Vipat e Bllokut” në Instagram ka zbuluar lidhjen e fshehtë të reperit që prezantohet tani si True Kapo dhe Jonida Vokshit. Sipas dëshmisë së faqes, thuhet se ata të dy ishin parë në Londër në çaste intime, qyteti nga i cili kishin postuar momente nga lidhja romantike, raporton “Panorama plus”.

Edhe pse të dy janë treguar të kujdesshëm që të mos publikonin foto bashkë nga qëndrimi atje, me postimet në Instagram që kanë bërë të dy, ata kanë treguar se javën e kaluar kanë qenë në Londër. Sipas burimeve pranë çiftit, flitet se ata kishin prenotuar në një nga hotelet e shtrenjta. Bashkë me ta ka qenë dhe këngëtarja Elvana Gjata, e cila flitet se ka prezantuar mikeshën e saj të ngushtë prej vitesh, Vokshin, me reperin Capital T, me të cilin bashkëpunoi për klipin e fundit “Lejla”.

Ndërkaq, në videon e publikuar nga Jonida në rrjetin social “Instagram” shihet ajo para Bing Ben-it, duke u përkëdhelur para fokusit të aparatit, pas të cilit ka qenë vetë Capital T. Ajo duket shumë e lumtur, ndërkohë që te miqtë e afërt e ka pranuar historinë e re që ka lindur mes saj dhe këngëtarit. Si prezantuesja, edhe reperi janë në momentet e tyre më të mira në karrierë. Pas komedisë së zezë “Kujtesa e ujit”, Jonida Vokshin e pamë si nusen e pafat që braktisej nga burri një javë para dasmës në filmin e ri “7 ditë”, ku Jonida është protagonistja kryesore.

Ndër sa Capital T është cilësuar si një ndër reperët më produktivë të këtij viti në muzikë, pasi nuk është ndalur për asnjë moment, duke sjellë vazhdimisht projekte të reja muzikore. “100” është kënga e tij më e re e realizuar nga producenti Mixey, tekstin e së cilës e ka shkruar vetë artisti. Videoklipi është cilë-suar mjaft ekstravagant, dhe Kapo ka arritur edhe kësaj here të befasojë fansat me paraqitjen dhe stilin e tij. Ky projekt pritet të jetë një sukses i radhës për reperin, i cili i ka pasur të shumta hitet gjatë vitit 2016.

Kënga e parë e 25- vjeçarit nga Prishtina titullohej “Shopping” në bashkëpunim me Besnikun e “2Po2”, që është daja i tij. Sa për marrëdhëniet e tij me femrat, Capital T asnjëherë nuk ka dalë hapur me ndonjë prej tyre. Vitet e fundit ai ka fituar sfidën e kilogramëve të tepërt, duke u transformuar tani në djalin gjithë muskuj. Ndërsa Jonida Vokshi nis këtë histori të re dashurie një vit pasi i dha fund lidhjes me Iv Tasen, i njohur si nipi i Ardit Gjebresë. Ivi, regjisor i programit “E Diela shqiptare”, tashmë ka krijuar një lidhje të re vetëm pak pas ndarjes nga Vokshi.