Zbukurimi i votave

Burim Ramadani nga AAK thotë se KQZ ka kontraktuar një kompani të frizerëve për bartjen e votave të 3 nëntorit. Ai thotë se bartja e kutive kërkon siguri.

Lajme

19/09/2013 15:19

Në vazhdim të seancës së Kuvendit të Kosovës, deputeti i AAK’së, Burim Ramadani, ka shprehur shqetësimin e tij për kompaninë e cila është kontraktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të bërë bartjen e kutive të votimit më 3 nëntor.

Ramadani thotë se është hera e tretë që Sekretariati i KQZ’së vendos që bartja e votave për zgjedhje të bëhet prej një kompanie të frizerëve.

“Besoni ose jo kompania e cila që dhe tash është shpallur fituese për bartjen e votave, për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit – kompania GH është e regjistruar si kompani Ondulimi dhe tretmani të bukurisë”.

“Ky është skandal dhe për më keq është skandal i përsëritur. Është skandal i trefishtë. Procesi zgjedhor nuk ka nevojë për zbukurim të votave. Kjo kompani është kompani zbukurimi dhe procesi zgjedhor hiç nuk ka nevojë për zbukurim të votave por ka nevojë për siguri të votave”.

“Sekretariati i KQZ’së është dashtur ta  shpall operatorë të papërgjegjshëm këtë kompani, dhe jo të na arsyetohet se paska fituar çmimi më i lirë”.

“Bartja e votave, e materialeve sensitive dhe josensitive, është diçka jashtzakonisht e rëndësishme. Nuk mund t’i besohet kompanive të cilat janë të regjistruara për tretman të bukurisë”.