Zbardhet vrasja në Lipjan: I dyshuari për vrasje pranon që kreu krimin ndaj Enver Bajraktarit

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është bërë një hap i rëndësishëm në zbardhjen e vrasjes së rëndë të Enver Bajraktarit në Lipjan. Në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, sot është arrestuar një person i dyshuar për këtë vrasje, i cili ka pranuar përfshirjen e tij në krim. Sipas njoftimit zyrtar, më…

Lajme

12/08/2025 12:20

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është bërë një hap i rëndësishëm në zbardhjen e vrasjes së rëndë të Enver Bajraktarit në Lipjan.

Në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, sot është arrestuar një person i dyshuar për këtë vrasje, i cili ka pranuar përfshirjen e tij në krim.

Sipas njoftimit zyrtar, më 12 gusht është ekzekutuar një urdhër kontrolli në fshatin Baicë të Komunës së Lipjanit, vendi ku edhe ishte raportuar se ishte gjetur i vrarë dhe i groposur viktima Enver Bajraktari, raporton lajmi.net

Gjatë këtij aksioni policor, të zhvilluar në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, është arrestuar një mashkull me inicialet T.K., i cili pas ndalimit ka dhënë deklaratë dhe ka pranuar veprimet që çuan në vrasjen e Bajraktarit.

“Pas ndalimit në polici dhe dhënies së deklaratës, i dyshuari ka pranuar veprimet e tij dhe kryerjen e veprës penale”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

I dyshuari është ndaluar me vendim të prokurorit, ndërsa ndaj tij tashmë kanë filluar procedurat e mëtejshme ligjore.

Prokuroria dhe Policia e Kosovës theksojnë se mbeten të përkushtuara në zbardhjen e plotë të këtij rasti dhe në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme ligjore për sjelljen e autorit para drejtësisë./Lajmi.net/