Zakharova dezinformon: Kosova nuk është e gatshme për Këshill të Evropës

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka dezinformuar se është shkelur e drejta evropiane në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës e cila ka votuar raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. “Kosova e vetëshpallur nuk është e gatshme për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Votimi në mbështetje…

Lajme

19/04/2024 10:34

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka dezinformuar se është shkelur e drejta evropiane në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës e cila ka votuar raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

“Kosova e vetëshpallur nuk është e gatshme për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Votimi në mbështetje të të ashtuquajturës Kosova është turp për Asamblenë e cila ka konfirmuar përkushtimin e saj për shkeljen e normave juridike ndërkombëtare dhe shkatërrimin e themeleve të marrëdhënieve ndërshtetërore në Evropë. Duhet theksuar se e vetëshpallura Kosovë është krejtësisht e papërgatitur për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe nuk ka të drejtë ta bëjë këtë, sepse, sipas statutit, në këtë organizatë pranohen vetëm shtetet e pavarura, e që Kosova nuk është”, tha Zakharova.

Kjo deklaratë e saj vie edhe pasi një shumicë e jashtëzakonshme e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kanë votuar pro raportit që thotë se Kosova plotëson kushtet që të bëhet anëtare e KiE-së.

Këshilli i Evropës pas pranimit të aplikimit nga Kosova ka dërguar në vend disa juristë eminentë që kanë bërë vlerësimin për funksionimin e demokracisë në Kosovë. Në raport të tyre thuhet se Kosova plotëson të gjitha kushtet për anëtarësim dhe se ka një demokraci funksionale. Kosova është zotuar po ashtu që do të respektojë të gjitha obligimet e saj që kërkohen pas anëtarësimit në Këshill të Evropës. /Thegeopost