Zaev dëshmoi në Prokurori për rastin “Puçi”
Lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev sot në prokurori dha dëshminë e tij për rastin e quajtur “Puçi”.

Lajme
Zaev në dëshminë e tij nuk dha shumë detaje, por deklaroi se ai nuk është duke u mbrojtur në heshtje. Duke folur për kallëzimin penal lidhur me mitmarrje prej 200 mijë eurosh, ai tha se ky është tentim i pushtetit për “kurdisje”.
Pas marrjes në pyetje, që zgjati një orë e gjysmë, para gazetarëve Zaev bëri thirrje që disa individë në prokurorinë publike dhe gjyqësor të marrin guximin për të gjykuar dhe marrë vendime në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën.
“E di se numri më i madh i njerëzve të punësuar në Prokurori dhe gjyqësor janë njerëz të ndershëm, një pjesë e tyre janë nën presion dhe një pjesë shumë e vogël janë realizues të drejtpërdrejtë dhe bashkëpunëtorë të pushtetit ekzekutiv në veprimet e paligjshme. Sot nuk do t’i komentoj bisedimet në Prokurori meqë dua të qëndroj në atë që e flas, ta respektoj procesin”, tha Zaev.
Zaev foli edhe për kallëzimin penal të MPB-së lidhur me dyshimin për mitmarrje gjatë kohës sa ishte kryetar i Komunës së Strumicës. Sipas tij, bëhet fjalë për një tentim klasik për kurdisje nga ana e pushtetit, për çka paralajmëroi kundër-kallëzim penal.
“Tash e një vit e gjysmë po mundohen të kurdisin mitmarrje ndaj kryetarit opozitar. Katastrofë, në të gjitha mënyrat e mundshme po tentojnë ta bëjnë këtë. Ajo që dua vetëm ta plotësoj është se po përgatitet kallëzim penal që do të dorëzohet nga ana ime për ofrim të paramenduar të ryshfetit dhe kontraktim të paramenduar për kurdisje të ryshfetit”, tha Zaev.
Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska përsëriti edhe një herë se Zaev ka kërkuar një dhuratë të konsiderueshme për vete nga një person që ka dashur të privatizojë një truall në Strumicë. E pyetur nga gazetarët pse Zaev nuk është arrestuar si i dyshuar për dy vepra penale, ministrja u përgjigj se policia punon në bazë të rregullave ligjore.
“Ministria e Brendshme punon vetëm në bazë të rregullave ligjore e jo në bazë të dëshirave të individëve, ndoshta ju dëshironi që kjo të ndodhë, mirëpo ne megjithatë do t’iu përmbahemi ligjeve dhe standardeve profesionale. Çdo rast është rast në vete, unik për nga karakteristikat e veta dhe ne jemi duke bërë vlerësim dhe analizë lidhur me situatën konkrete. Nuk u përgjigjemi pyetjeve hipotetike dhe nuk u përgjigjemi situatave të supozuara që do të ndodhnin nëse diçka ndodh dhe a do të ndodhë”, tha Jankullovska.
Zoran Zaev ishte i dyshuar para një muaji e gjysmë për dhunë ndaj përfaqësuesve të organeve më të larta shtetërore në tentativë, si pjesë e grupit deri tani gjashtanëtarësh. Marrja e sotme në pyetje para prokurorit publik është e para për rastin “Puçi”. Zaev përsëriti se të gjitha materialet që i posedojnë dhe për të cilat kanë parashtruar kallëzime penale në prokurori janë autentike.