Ymeri pyet Rizvanollin për “sakrificën”: Sakrificë që të importojë rrymë NOA, dhe të fitojnë tregtarët

Janina Ymeri nga LDK i ka reaguar një deklarate të ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli e cila teksa tentoi të arsyetojë ndaljet e paparashikuara të rrymës, tha se po bëhen investime në blloqe dhe se ato duhet të ndalen, e për çka nënvizoi se duhet ta bëjnë këtë siç u shpreh ajo, sakrificë.…

Lajme

05/02/2026 09:12

Janina Ymeri nga LDK i ka reaguar një deklarate të ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli e cila teksa tentoi të arsyetojë ndaljet e paparashikuara të rrymës, tha se po bëhen investime në blloqe dhe se ato duhet të ndalen, e për çka nënvizoi se duhet ta bëjnë këtë siç u shpreh ajo, sakrificë.

Ymeri pyet se për kë po bëhet kjo sakrificë, duke ironizuar se për të importuar nga NOA?

“Matematika e Sakrificës alla Vukvendosje  nga viti 2025 është: B2 nuk ka punu 154 ditë (gjysëm viti) dhe sot thuhet se ka 35MË shtesë. 35MË kemi pas mundësi shlirë me nji central me erë ose solarë me i ndërtu pa problem.  Sa për kohën e modernizimit të B2 kemi pas mundësi me zëvendësu me plan vjetor të importit. Por jo! Tash duhet të paguajmë import që është bërë çdo ditë pa plan.  Gjithsesi, sakrifica ka bërë që B2 e kemi modernizu për 259 Milionë Euro import vjetor shumicën nga Noa (të dhënat deri në shtator). Kush përfitoj këtu? Tregtarët bile në hetime që përfshihet edhe Elektroprovreda e Serbisë.  Kush po sakrifikon? Ne, si në vitin 2022, 2023, 2024 e tash 2025”, ka shkruar Ymeri.

Ndërkaq, Rizvanolli në një ngjarje në Podujevë, teksa tentoi të fliste për kërkesën që KECSO ka bërë për rritjen e çmimit të energjisë edhe për mbi 21 për qind, fajin u mundua ta hedh tek sic potenconte, mosinvestimet në blloqet e KEK-ut për 40 vjet.

“Së pari duhet theksuar se lajmi që është publikuar ka të bëjë me kërkesën e furnizuesit dhe operatorëve të tjerë. Nuk ka ende një vendim. Ndërsa, duhet të pasur parasysh disa zhvillime që janë objektive në sektorin e energjisë, që do të mund të kenë pasoja në këtë aspekt. Ju, siç e kemi theksuar dhe jeni të informuar, në KEK vitin e kaluar kanë filluar modernizimi dhe rehabilitimi që nuk janë bërë për 40 vite, që nga fillimi i punës së TC Kosova B dhe 60 vite në TC Kosova A. Kjo do të thotë që për këto vite, vjet, sivjet dhe vitin e ardhshëm, ne do të kalojmë një periudhë sfiduese, sepse blloqet duhet të ndalen për një kohë, për disa muaj, në mënyrë që investimet të realizohen. Kjo është një sakrificë që duhet ta bëjmë ne, për ne dhe gjeneratat e ardhshme, fatkeqësisht nuk është bërë më herët. Është investimi më i madh që po bëhet dhe më serioz që po bëhet në KEK. Megjithëse në KEK janë investuar rreth 1 miliard euro, kështu së paku thonë shifrat zyrtare deri në vitin 2020, nuk ka pasur asnjëherë rritje të kapaciteteve, të eficiencës dhe nuk ka pasur rritje të jetëgjatësisë. Investimet që po bëhen tash i përmirësojnë të gjitha këto aspekte. Tash po investojmë që jetëgjatësia e termocentraleve tona të rritet për 20 vjet, që ndotja të ulet ndjeshëm përmes vendosjes së filtrave për okside të azotit dhe pluhur. Dhe gjithashtu kapaciteti do të rritet së paku për 35 megavat në secilin bllok në termocentralin Kosova B”, tha ajo.

Në fjalën e saj, vazhdoi ta prekë edhe cësthjen e importit të energjisë, e ku edhe këtu tentoi të jap një sqarim, duke paralajëmruar se import do të ketë edhe sivjet por edhe vitin e ardhshëm.

“Përveç kësaj, siguria do të rritet ndjeshëm. Këto rënie të blloqeve që i kemi ndodhin sepse s’ka pasur investime për 40 vitet e fundit. Siguria e sistemit elektroenergjetik duhet të rritet dukshëm, duke qenë që termocentralet do të jenë në dispozicion 85 për qind të kohësh përgjatë vitit dhe nuk do të kemi ndalje të paparashikuara në masën që i kemi. Kjo mund të ketë ndikim, dhe kjo është një arsye pse vjet është dashtë importojmë më shumë, që është një gjë që përflitet shumë. Pra, ka arsye objektive pse importi është rritur gjatë vitit të kaluar. Pse importi pritet të jetë i lartë edhe gjatë vitit të ardhshëm. Por kjo gjë duhet ndarë prej një faktori tjetër që ka të bëjë me mënyrën si blihet energjia, si transportohet energjia, me procedura e të tjera të cilat ZRRE i mbikëqyr dhe duhet t’i mbikëqyr dhe ne kemi kërkuar që të mbikëqyren me shumë vigjilencë dhe aty ku ka hapësirë për hetime duhet të bëhen dhe duhet të jenë komplet transparente. Mirëpo nëse duam të kemi një diskutim të hapur për politikat energjetike, për planet dhe atë së çfarë po ndodh ne duhet t’i dallojmë këta faktor dhe të flasim në mënyrë të sinqertë për këtë”, shtoi ajo.