Ymeri ngre alarm: Qytetarët po paguajnë më shumë për energjinë se komunat veriore
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka ngritur pretendime për dallime në tarifat e energjisë elektrike mes komunave veriore të vendit dhe pjesës tjetër të Kosovës. Në një reagim publik, ajo ka thënë se sipas saj ekziston një pabarazi në çmimin e rrymës, duke deklaruar se “në Kosovë, nën pushtetin ‘cep më…
Lajme
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka ngritur pretendime për dallime në tarifat e energjisë elektrike mes komunave veriore të vendit dhe pjesës tjetër të Kosovës.
Në një reagim publik, ajo ka thënë se sipas saj ekziston një pabarazi në çmimin e rrymës, duke deklaruar se “në Kosovë, nën pushtetin ‘cep më cep’, nëse ndodheni në komunat veriore, tarifa e energjisë elektrike është deri në 18.3% më e lirë krahasuar me pjesën tjetër të vendit, ku jeton shumica e qytetarëve”.
Ymeri ka theksuar se kjo situatë, sipas saj, ndikon drejtpërdrejt në faturat mujore të qytetarëve, duke shtuar se “çdo faturë që paguani në shtëpitë tuaja do të ishte më e ulët në Mitrovicën e Veriut dhe në komunat tjera ku operon ElektroSeveri brenda territorit të Kosovës”.
Tutje, ajo ka pretenduar se barra financiare e kësaj strukture shpërndahet në mënyrë të padrejtë, duke thënë se qytetarët në pjesët tjera të vendit përballen me kosto shtesë. “Ne po paguajmë edhe shpenzimet operative të KEDS-it për komunat veriore të Kosovës”, ka deklaruar ajo.
Deklaratat e Ymerit pritet të ngjallin debat publik, veçanërisht rreth mënyrës së funksionimit të sistemit energjetik dhe ndarjes së kostove në nivel vendi. /Lajmi.net/