Ylli Hoxha: Cilido rezultat i Kuvendit, LDK nuk do të jetë më e njëjta
Analisti Ylli Hoxha ka deklaruar se sfida më e madhe për kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të jetë procesi i votëbesimit në Kuvendin e partisë, duke vlerësuar se pavarësisht rezultatit, LDK nuk do të mbetet e njëjtë dhe do t’i duhet një marrëveshje e re politike për të ruajtur unitetin. “E shoh betejë më…
Lajme
Analisti Ylli Hoxha ka deklaruar se sfida më e madhe për kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të jetë procesi i votëbesimit në Kuvendin e partisë, duke vlerësuar se pavarësisht rezultatit, LDK nuk do të mbetet e njëjtë dhe do t’i duhet një marrëveshje e re politike për të ruajtur unitetin.
“E shoh betejë më të vështirë mocionin. Nëse kam dhënë një kritikë për Lumir Abdixhikun, ajo ka qenë se konstruksioni i tij mental është më shumë defensiv sesa ofensiv. Në raport me Albin Kurtin dhe Qeverinë, veprimet e tij politike kanë qenë kryesisht defensive. Bën edhe hapa ofensivë, por me qëllime mbrojtëse. Prandaj nuk do të jetë betejë e lehtë për ta mposhtur në Kuvend dhe cilido grup heterogjen do ta ketë të vështirë”, tha Hoxha.
Ai theksoi se pavarësisht se cili do të jetë rezultati i Kuvendit, LDK nuk do të dalë e pandryshuar nga ky proces.
“Kurdo që ka proces të ri zgjedhor, LDK-së i duhet një pakt i ri, një marrëveshje e re. Kjo nuk arrihet me votime në Kuvend, por me dialog. Nëse nuk ka dialog, qoftë nga njëra palë apo tjetra, LDK do të dalë më e dobët. Nëse dikush mendon se do ta rregullojë partinë përmes një procesi të ri zgjedhor, mund t’ia thellojë edhe më shumë problemet. Nuk ka zgjidhje të përkryer, palët do të zgjedhin mes dy alternativave të këqija. Përgjegjësia duhet të mbizotërojë. Edhe nëse Abdixhiku fiton ose humb për një votë, nuk është bërë asgjë, sepse LDK rrezikon të shkojë drejt përçarjes. Nga ana tjetër, largimi i tij nuk do të ishte i lehtë, pasi si kryetar ai ka ndikim dhe kontroll mbi subjektin. Prandaj, asnjëra palë nuk mund të llogarisë se do ta qeverisë lehtë LDK-në, duke pasur degë të rëndësishme si Peja, Prishtina dhe Lipjani kundër”, u shpreh Hoxha.