Xhelal Sveçla reagon për rastin e Agon Zejnullahut: Pres të zbardhet e vërteta, kushdo që rezulton fajtor do përballet me drejtësinë
Pas më tepër se 24 orë nga ngjarja tragjike në Lipjan, ku humbi jetën në mënyrë të dyshimtë qytetari Agon Zejnullahu, ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai tha se është thellësisht i prekur nga vdekja e 27 vjeçarit. “Jam thellësisht i prekur nga lajmi për vdekjen e qytetarit tonë para mëngjesit…

Lajme
Pas më tepër se 24 orë nga ngjarja tragjike në Lipjan, ku humbi jetën në mënyrë të dyshimtë qytetari Agon Zejnullahu, ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai tha se është thellësisht i prekur nga vdekja e 27 vjeçarit.
“Jam thellësisht i prekur nga lajmi për vdekjen e qytetarit tonë para mëngjesit të djeshëm në Lipjan.Si Ministër i Punëve të Brendshme, sapo jam informuar për ngjarjen, kam kërkuar angazhim urgjent dhe profesional nga Inspektorati Policor i Kosovës si dhe bashkëpunim të plotë të Policisë së Kosovës gjatë këtij hetimi. Në kuadër të kësaj, hetimet tashmë janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal”,tha Sveçla.
Ai theksoi se bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë është kyç për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.
“Familjarëve të të ndjerit u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Pres që sa më shpejt, të zbardhet e vërteta dhe të gjitha rrethanat si dhe familjarët dhe opinioni publik të njoftohen me të gjitha të gjeturat dhe epilogun e këtij rasti. Askush nuk është mbi ligjin, dhe kushdo që rezulton fajtor do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar”,deklaroi ai, transmeton lajmi.net.
Sveçla po ashtu tha se Policia e Kosovës, falë profesionalizmit, transparencës dhe përkushtimit në shërbim të qytetarëve, vazhdon të jetë institucioni më i besuar dhe më kredibil në vend.
“Ky besim duhet ruajtur me çdo kusht dhe pa kursyer askënd pasi besimi qytetarë është jo vetëm vlerë por domosdoshmëri për punën e suksesshme të Policisë së Kosovës. Atë do ta ruajmë me vendosmëri përmes drejtësisë dhe përgjegjësisë për secilin rast”./Lajmi.net/