Xhavit Haliti publikon procesverbalin e bisedës mes Rugovës dhe Talbott: Ish-presidenti i Kosovës e quante UÇK-në “grup të frustruar”
Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Xhavit Haliti, ka publikuar një procesverbal zyrtar të vitit 1998, i cili ka nxitur reagime të shumta, pasi përmban deklarata të atribuara presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Sipas dokumentit të publikuar nga Haliti, Rugova, gjatë një takimi me ushtruesin e detyrës së Sekretarit…

Lajme
Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Xhavit Haliti, ka publikuar një procesverbal zyrtar të vitit 1998, i cili ka nxitur reagime të shumta, pasi përmban deklarata të atribuara presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas dokumentit të publikuar nga Haliti, Rugova, gjatë një takimi me ushtruesin e detyrës së Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Strobe Talbott, në vitin 1998, kishte folur për UÇK-në si “shumë grupe të frustruara”, veprimet e të cilëve – sipas tij – po shfrytëzoheshin nga regjimi i Millosheviqit për të justifikuar masakrat në Kosovë, transmeton lajmi.net.
Haliti bëri publik këtë procesverbal në rrjetet sociale, pas deklaratave të tij të mëhershme në emisionin “Pressing” në T7, ku akuzoi se delegacioni i Kosovës në SHBA – i përbërë nga Ibrahim Rugova, Veton Surroi dhe Fehmi Agani – kishte folur keq për UÇK-në dhe Shqipërinë gjatë vizitës në Washington. Ai pretendoi se ata e kishin akuzuar edhe Fatos Nanon si “ekstremist që po financon ekstremistët e Kosovës”.
Deklaratat e Halitit nxiten reagimin e menjëhershëm të Veton Surroit, i cili përmes një postimi në Facebook tha se delegacioni që takoi presidentin amerikan Bill Clinton kishte kërkuar mbështetje vendimtare për Kosovën dhe nuk ishte marrë me përgojime.
Si kundërpërgjigje, Haliti publikoi dokumentin zyrtar të bisedës mes Rugovës dhe Talbott, ku përmenden qëndrimet e presidentit të ndjerë ndaj UÇK-së dhe kërkesa për ndërhyrje të menjëhershme amerikane për të parandaluar katastrofën humanitare në Kosovë.
Haliti fillimisht përmendi gabimisht Mahmut Bakallin si pjesë të delegacionit, por më pas e korrigjoi këtë në një reagim të mëvonshëm./lajmi.net/