​Xhaçka, takime në Nju Jork: Mobilizimet e pjesshme ushtarake të Rusisë, përshkallëzim i luftës

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që po mbahet në Nju Jork po zhvillon takime me homologë të vendeve anëtare të OKB. Ministrja Xhaçka parashtroi përparësitë e Shqipërisë si anëtare jo e…

Lajme

22/09/2022 10:50

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që po mbahet në Nju Jork po zhvillon takime me homologë të vendeve anëtare të OKB.

Ministrja Xhaçka parashtroi përparësitë e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit, në këtë javë të rëndësishme për diplomacinë botërore: kontributin për paqen dhe sigurinë, zgjidhja e pasigurisë ushqimore, promovimin e multilaterizmit, respektimi i të drejtave të njeriut, mbështetja e Kartës së OKB-së etj.

Në takimet që po mbahen në Nju Jork, me përfaqësues të vendeve me të njëjtin qëndrim, kryediplomatja shqiptare rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë ndaj agresionit rus në Ukrainë, duke nënvizuar se referendumet apo mobilizimet e pjesshme ushtarake janë lëvizje dëshpëruese të Rusisë, që nuk po bën asgjë më shumë sesa përshkallëzimi i luftës por që nuk mund të dobësojnë rezistencës e Ukrainës dhe popullit të saj.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme pritet që sot të flasë në një takim të Këshillit të Sigurimit mbi paqen dhe sigurinë në Ukrainë dhe sot pasdite do të takohet me Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken dhe mbi 40 ministra të jashtëm dhe zyrtarë të lartë të Evropës, SHBA dhe Kanadasë. /atsh/