X-historia e pronave të Manastirit të Deçanit

Dhania e 24 hektarëve për kishën e Deçanit asht rasti klasik i nji vendimi që natyrshëm zgjon hakërrim etik, porse ligjërisht asht i drejtë. Shkruan: Col Mehmeti Ka pasë kohë ma shumë se njizet vjet për me e trashë nji dosje shqiptare, së paku me e kuptue problemin shumëpërmasor të mëtimeve e kundërmëtimeve pronësore, por…

Opinion

16/03/2024 20:49

Dhania e 24 hektarëve për kishën e Deçanit asht rasti klasik i nji vendimi që natyrshëm zgjon hakërrim etik, porse ligjërisht asht i drejtë.

Shkruan: Col Mehmeti

Ka pasë kohë ma shumë se njizet vjet për me e trashë nji dosje shqiptare, së paku me e kuptue problemin shumëpërmasor të mëtimeve e kundërmëtimeve pronësore, por kurrënjiherë nuk asht prodhue nji diçka në natyrën e argumentit.

I vetmi version shqiptar ka qenë nji narracion prej sharlatanësh që e ka luejtë me çikrik lleftizmi provincial në Kosovë. Fjalët e Albinit janë fjalët e Albinit, që mas vete nuk kanë as seriozitet, as dije e as përgjegjësi.

Me e rivizitue historinë e ndërmjet dy luftrave botnore, tabloja që del asht bukur interesante. Aty e kupton fuqinë e mrapshtë të cepave rustikë me prodhue dramë e intrigë e cila dikur, me fuqi orteku, na rekruton të gjithëve në nivel nacional. Kështu, Mefistoteli i të keqes nuk asht veç priftnia e manastirit, por janë po aq edhe fshatarësia e atyshme.

Fill mas Luftës së Parë Botnore, Serbia e përlindun si Mbretni serbo-kroato-sllovene e nismon të ashtuquajtunën reformë agrare. Me fjalët e regjentit të asokohshëm Aleksandër për me e suprimue bujkrobninë dhe pronat e mdha”, proklamata e famshme e 24 dhjetorit 1918 u përjetue si me ra gongu i çlirimit të madh për fshatarësinë.

Por, reforma nuk e kishte qëllimin këtu. Në “tokat e reja”, siç quheshin Sanxhaku, Kosova e Maqedonia, planifikuesit në Ministrinë Argare po e banin hesapin n’gjeti: ideja ishte me i shkatërrue pronarët e mëdha të tokave në Kosovë, hap ky që do ta lehtësonte dëbimin e shqiptarëve drejt Turkisë.

Kjo asht arsyeja pse vetë Beogradi i nxiste fshatarët “arnautë” me u dyndë drejt zyrave lokale që si çifçi me e fitue pronësinë e plotë mbi tokat që ligjërisht ishin të sahibive (“çifligarëve”).

Kështu u përhap si eshkë nji gjendje në pragshpërthimi social midis mëtimeve kuturu të fshatarësisë dhe pronarëve të tokave. Paradoksalisht, shteti në këtë ngatërrim e mbante anën e fshatarit kundër sahbiut.

Por kur kolonat e plisëbardhëve para zyrave agrare në rrethe po baheshin të pafundme, dhe shteti nuk kishte qysh me i sprapsë tekqë vetë e proklamonte nenin 42 të Kushtetutës, atëherë këtë çashtje e morën në dorë burokratë dallaverxhi të Drejtorisë Agrare në Shkup.

Me 1928, Gjorgje Kërstiqi nga kjo Drejtori e autoroi nji shkrim të gjatë me titull “Da li dobra manastira visoki Visoki Dečani spadaju pod udar agrarne reforme” (A duhet manastiri i mirë i Deçanit me u goditë prej reformës agrare).

Pakashumë si sot, fesati bahet mu për të njejtat toka në dalje të manastirit, në vendin dikur të quejtun Bivolak, drejt Isniqit.

Edhe në këto toka, të cilat manastiri i mëtonte si të vetat me precedentë edhe nga koha e turkut, pati plot banorë që i kërkuen si të vetat ato. Por, Kërstiqi e nulifikon mëtimin e tyne me nji manovër të shkathtë ligjore tu argumentue që statusi i çifçiut nuk vlente për tokën manastirore, por vetëm për çifligjet e sahibive.

Nji argument që e randonte peshoren në dobi të manastirit ishte dhe fakti që po të njejtat toka, për dallim prej Isniqit, nuk ishin të nxanuna me ndërtime private, çka e bante të besueshëm se ato ishin të kishës, porse kjo e fundit i jepte kohëpaskohe me qira banorëve të anës. Edhe në kohë të turkut, fesatet për tokë zakonisht e nxirnin të fituem manastirin dhe jo ankuesit (këtë madje e banin të ashtuquajtunat gjykata të sheriatit në Pejë).

Me 1855, Gjykata e Sheriatit në Pejë ia miraton ankesën manastirit të Deçanit kundër njifarë Demë Osmani prej Isniqi, i cili kishte ndërtue kullë midis livadheve e fushave të Bivolakut. Simbas vendimit të gjykatës, toka në fjalë ishte pjesë e vakëfit të kishës.

Raste si këto, të cilat janë dokumentue me përpikëni në arkivat e manastirit, kallxojnë sesi dosja e manastirit asht spic me referenca e precedenta pozitivë sa i përket mëtimeve të veta tokësore.

Në periudhën e mes dy luftave botnore, për arsye që merren me mend, manastiri i Deçanit i zgjenoi pronat e veta; fjala vjen, me 27 gusht 1927, Drejtoria e Naltë Agrare në Shkup ia jep manastirit pronat e 50 familjeve shqiptare të Isniqit, të cilat shpronësohen pa të drejtë apelimi. Deri në kapitullimin e Jugosllavisë me 1941, manastiri ishte ba hisedarë i 600 hektarëve tokë (shih Marenglen Verli, Shqipëria dhe Kosova: historia e një aspirate, 2007, fq. 288).

Në periudhën e Mbretnisë së Shqipnisë nën kunorën savojane (1941-1943), gjykatat e reja shqiptare nisin me i rikthye pronat e konfiskueme. Me 1945 e këndej, pushteti i partizanëve jugosllavë i shtetëzon pronat manastirore e kishtare.

Sigurisht, kaleidoskopi i historisë pronësore te manastiri i Deçanit asht fort ma i ndërlikuem e hektik sesa kaq, por rastet e naltcekuna dëshmojnë nji gja të thjeshtë.

Të dyja palët, hem manastiri e hem banorët, në rrethana të caktueme kanë uzurpue tokë. Manastiri këtë e ka ba me ndihmën e autoriteteve lokale dhe qendrore jugosllave, por shpesh kanë veprue edhe vetë banorët lokalë me pretendime që jo gjithmonë i kanë vërtetue. Ka dallavere sa andej e sa këndej.

Kosova sot asht nji truall ku ka ngadhnjye përfundimisht Albinizmi: nuk ka nevojë as për ekspertë e as për shkencë sepse asht kohë postfaktuale ku mjafton vetëm bindja që ki të drejtë morale. Tapija, argumenti dhe fakti nuk kanë pse të banojnë këtu.