Weber: VV duhet ta sigurojë mbështetjen e heshtur të njërës prej partive opozitare për presidentin
Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, tha se kryeministrit në detyrë dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit i duhet të sigurojë mbështetjen e njërës prej partive opozitare për zgjedhjen e presidentit të ri. Ai tha se i duket herët të flasë për zhbllokimin e situatës politike në…
Lajme
Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, tha se kryeministrit në detyrë dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit i duhet të sigurojë mbështetjen e njërës prej partive opozitare për zgjedhjen e presidentit të ri.
Ai tha se i duket herët të flasë për zhbllokimin e situatës politike në Kosovë.
“Më duket shumë herët të flas për zhbllokimin e situatës politike. Së pari, ende po presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e vitit të kaluar, padyshim të paligjshme, të një nënkryetari serb të Kuvendit të Kosovës, duke anashkaluar shumicën e deputetëve serbë/Listën Serbe”.
“Së dyti, VV-ja ende duhet të sigurojë të paktën mbështetjen e heshtur të njërës prej partive opozitare për zgjedhjen e një Presidenti të ri të Kosovës në mars, me shumë mundësi nga LDK-ja, partia opozitare me përçarjet më të thella të brendshme, ndërsa PDK-ja dhe AAK-ja përballen gjithashtu me gara për lidership”, tha ai për Express.
Menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, ditën pasuese Vjosa Osmani tha se dëshiron edhe një mandat si presidente.
Synimin e saj e përmblodhi me frazën “vazhdimësi e punëve të mira” dhe “të përbashkëta” me Albin Kurtin, partia e të cilit fitoi rreth 50% të votave në zgjedhje.