Weber e uron Kurtin për fitoren e zgjedhjeve të fundit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti priti në takim një delegacion nga BE-ja, të kryesuar nga kryetari i Grupit të EPP-së në Parlamentin Evropian, Manfred Weber, i cili ishte i shoqëruar nga nënkryetari i tij dhe deputeti i PE-së, Andrey Kovatchev, asistentja e tij, Nina Tavcar, shefja e Misionit të BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova dhe zëvendës shefi i kësaj zyre, Riccardo Serri.

Lajme

04/12/2019 18:39

Siç njofton LVV, Weber e uroi kryetarin e partisë Kurti për fitoren e zgjedhjeve të fundit. Po ashtu, ai u interesua për rezultatin e bisedimeve me Lidhjen Demokratike dhe theksoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor, ndryshe nga zhvillimet e fundit ku disa shtete shprehën qëndrime të caktuara për hapjen e negociatave është rajon me prioritet të lartë për BE-në.

“Kryetari Kurti u pajtua me Z. Weber sa i përket integrimit të këtij rajoni në BE, dhe e përsëriti qëndrimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për nevojën e integrimit të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në të njëjtën kohë dhe sa më parë që të jetë e mundur. Tutje, Kurti e njoftoi atë edhe me prioritetet e qeverisë së re, ku rol qendror ka luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë dhe krijimi i vendeve te reja të punës. Me mbështetjen e biznesit të vogël dhe të mesëm dhe me investime nga jashtë e sidomos nga diaspora, me sistemin dual të arsimit që e zvogëlon hendekun e shkathtësive, edhe do ta përparojmë Kosovën përbrenda, edhe do të avancojmë drejt BE-së”, tha Kurti.

Në fund të takimit, palët u dakorduan ta vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin në të ardhmen. /Lajmi.net/