Walker për Reçakun: Një vit pas masakrës, qytetarët u ngritën për të treguar të vërtetën, unë jam krenar për Kosovën
Ish-ambasadori, William Walker, ka bërë sot një deklaratë pas homazheve për nder të 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut, ku ka theksuar rëndësinë historike të ngjarjes dhe angazhimin e tij personal për të kujtuar viktimat. Walker ka treguar se pavarësisht plakjes dhe vështirësive të lëvizjes, ai përpiqet të vizitojë Reçakun sa herë ka mundësi. Ai kujton…
Lajme
Ish-ambasadori, William Walker, ka bërë sot një deklaratë pas homazheve për nder të 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut, ku ka theksuar rëndësinë historike të ngjarjes dhe angazhimin e tij personal për të kujtuar viktimat.
Walker ka treguar se pavarësisht plakjes dhe vështirësive të lëvizjes, ai përpiqet të vizitojë Reçakun sa herë ka mundësi. Ai kujton se vizita e tij e parë pas luftës, në vitin 2000 ose 2001, u shoqërua nga rreth 15 mijë qytetarë të zonës, ndërsa asnjë përfaqësues i qeverisë apo ambasadës nuk ishte prezent, shkruan lajmi.net.
“Shumica në këmbë për të treguar se ajo çfarë kishte ndodhur në Reçak kishte rëndësi për ta. Ishte vetëm një vit pas masakrës, por vij çdo vit për të treguar se jam shumë krenar për Kosovën dhe për kosovarët që e kanë kuptuar se kjo ngjarje ishte një moment kyç që çoi drejt Kosovës së sotme”, ka thënë Walker.
Ai ka theksuar gjithashtu se gjatë vizitave të tij në Reçak ka vepruar gjithmonë si neutral, pa asnjë mision politik: “Ajo që u kuptua ishte fakti se kishte ndodhur një masakër e kryer nga qeveria në Beograd. Ky ishte misioni im i vetëm. Nuk kisha asnjë mision tjetër politik, kur erdha këtu isha neutral, nuk e dija kush po i bënte çfarë kujt”.
Deklarata e Walker vjen në përkujtim të rëndësisë së masakrës së Reçakut, e cila mbetet një nga ngjarjet më vendimtare në rrugën drejt çlirimit dhe shtetësisë së Kosovës. /Lajmi.net/