VV: Synojmë BE-në duke mos hequr dorë nga bashkimi kombëtar

Vetëvendosje dëshiron një gjyqësi të pavarur, kërkon që të investohet më shumë në shëndetësinë publike. Ekonomia, sipas Alternativës qeverisëse të VV-së, është mjet për përmirësimin e mirëqenies. Ndërkaq, anëtarësimi në BE është synim, por se ai nuk duhet të bëhet përmes rrugës së koncensioneve.

Lajme

13/05/2014 23:57

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në emisionin “Zona Zgjedhore” në Klan Kosova, përballë analistëve kanë prezantuar alternativën e tyre qeverisëse.

Visar Ymeri tha se shteti duhet të jetë aktor dhe faktor në zhvillimin ekonomik dhe jo vetëm spektator. Ai tha se tatimi progresiv nuk është ndëshkues ndaj atyre që fitojnë më shumë.

“Ne konsiderojmë që ekonomia e Kosovës lëngon për shkak të mungesës së prodhimit. Shtetin e shohim si faktor në sferën e zhvillimin ekonomik, duke e luftuar papunësinë dhe duke përmirësuar bilancin ekonomik të vendit”.

“Ne propozojmë edhe një sistem tatimor ndryshe, pra përshkallëzime të tatimeve, apo tatimin progresiv”.

Duke folur për fushën e rendit dhe ligjit, Ylli Hoxha tha se pavarësimi i gjyqësorit dhe rritja e buxhetit do të sjellin frytet e veta, që gjendja në sistemin e gjyqësorit të ndryshojë.

“Konsideroj se çështja më konkrete është ekzistenca e vullnetit politik për të ndryshuar gjendjen në rend dhe ligj”.

“Konsideroj se buxheti për sistemin e drejtësisë ka qenë i vogël dhe rritja e tij do të ndikojë në intensifikimin e punës. Unë mendoj se duhet ta dyfishojmë buxhetin që të kemi një sistem të drejtësisë më efikas”.

“Me vullnetin tonë për rend dhe ligj nevoja për ekzistencën e EULEX-in dhe kompetencave të tij ekzekutive do të zhduket dhe brenda një kohe të shkurtër ai duhet të largohet”.

Ndërkaq, për shëndetësinë, Fatmire Kollçaku tha se duhet pasur më shumë investime në sektorin publik. sipas saj, Vetëvendosje do ia kthej dinjitetin shëndetësisë kosovare.

Puhie Demaku tha se pa përmirësimin e gjendjes në vend, Kosova nuk duhet të mendoj për anëtarësim në BE.

“Pas sundimit të ligjit, zhvillmit ekonomik, mund të flasim se si të anëtarësohemi në BE”, tha ajo.

“Ne e synojmë Bashkimin Evropian por duam ta ndjekim rrugën e drejt dhe jo rrugën e koncensioneve”.

Ndërkaq, e pyetur se si mund të synojnë edhe BE-në edhe bashkimin kombëtar, Demaku pyeti se “kush ta mohon të drejtën që të ngulësh këmbë për bashkimin kombëtar”, duke shtuar tutje se duhet ndryshuar ligjet dhe Kushtetuta e vendit për këtë gjë.