VV: Rivalët në Prizren po blejnë vota

Lëvizja Vetëvendosje e Prizrenit po akuzon partitë rivale se po i blejnë votat. Kandidati i VV’së, Arbër Rexhaj, ka kërkuar nga qytetarët mos ta shesin votën.

Lajme

28/09/2013 12:05

Vetëvendosje në Prizren akuzon partitë rivale se po blejnë vota në përpjekje për t’i fituar zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Prizrenpress citon kandidatin e Vetëvendosjes për Kryetar të Prizrenit Arbër Rexhaj të ketë thënë se partitë rivale të Vetëvendosjes tashmë janë mobilizuar për fillimin e blerjes së votës.

Ai nuk ka dhënë ndonjë dëshmi për këtë, por ka thënë se ka pasur qytetarë që kanë shkuar në zyrën për ta njoftuar për këtë fenomen.

“Kohëve të fundit janë shtuar zërat se në qytetin tonë ka filluar të blihet vota e qytetarëve. Madje, ka pasur qytetarë të cilët kanë ardhur në zyrat tona, kanë takuar edhe mua dhe më kanë thënë se kane dashur t’ua blejnë votën”

“Ka pasur edhe të atillë, që na kanë treguar se ku kanë filluar ta blejnë votën”

“E kam parasysh se në çka na ka katandisur ky pushtet si ravijëzim edhe të pushteteve të kaluar. E di se në çfarë katandisje ekonomike janë qytetarët e Komunës sonë”.

“E kuptoj varfërinë ekstreme. Por, secili qytetar ka vullnetin e vet, prandaj shpreheni vullnetin tuaj, aty ku të doni, por mos e ç’njerëzoni vetën”.

“Mos e shisni votën. Jepni aty ku të doni. Por, ndihuni krenar, mos u frikësoheni, sepse çdo pushtet i padrejtë domosdoshmërisht është i destinuar të bie. Edhe Muja edhe Kryeziu do ta kenë fundin e vet”.