VV për aksionin e Policisë në Komunën e Prishtinës: Jemi të bindur se ky rast nuk është i izoluar, por pasqyrë e një gjendjeje të rëndë të keqqeverisjes
Lëvizja Vetëvendosje qendra Prishtinë ka përshëndetur veprimet e Policisë së Kosovës dhe të Prokurorisë kompetente lidhur me aksionin e zhvilluar sot në Komunën e Prishtinës, ku tre zyrtarë komunalë janë kapur në flagrancë duke marrë ryshfet. Në reagimin e saj, VV ka vlerësuar se rasti nuk është i izoluar, por pasqyrë e një gjendjeje të…
Lajme
Lëvizja Vetëvendosje qendra Prishtinë ka përshëndetur veprimet e Policisë së Kosovës dhe të Prokurorisë kompetente lidhur me aksionin e zhvilluar sot në Komunën e Prishtinës, ku tre zyrtarë komunalë janë kapur në flagrancë duke marrë ryshfet.
Në reagimin e saj, VV ka vlerësuar se rasti nuk është i izoluar, por pasqyrë e një gjendjeje të rëndë të keqqeverisjes, keqpërdorimit dhe abuzimit institucional, për të cilat, sipas tyre, janë dhënë sinjalizime dhe denoncime të vazhdueshme ndër vite, raporton lajmi.net
Sipas VV-së, krimi dhe korrupsioni në Komunën e Prishtinës janë rrënjosur thellë si pasojë e mungesës së përgjegjësisë dhe llogaridhënies, duke dëmtuar funksionimin e institucionit, besimin e qytetarëve dhe zhvillimin e kryeqytetit.
Postimi i plotë:
Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Prishtinë, përshëndet veprimet e Policisë së Kosovës dhe të Prokurorisë kompetente lidhur me aksionin e sotëm në Komunën e Prishtinës, ku tre zyrtarë komunalë janë kapur në flagrancë duke marrë ryshfet.
Jemi të bindur se ky rast nuk është i izoluar, por pasqyrë e një gjendjeje të rëndë të keqqeverisjes, keqpërdorimit dhe abuzimit institucional. Prej vitesh kemi sinjalizuar dhe denoncuar raste të shumta të dyshimta, të cilat tash po konfirmohen përmes veprimeve konkrete hetimore.
Krimi dhe korrupsioni në Komunën e Prishtinës janë të rrënjosura thellë, si pasojë e një qeverisjeje të papërgjegjshme dhe pa llogaridhënie. Kjo gjendje ka dëmtuar seriozisht funksionimin e institucionit komunal, ka minuar besimin e qytetarëve dhe ka penguar zhvillimin normal të kryeqytetit.
Kërkojmë zbardhjen e plotë të këtij rasti, ndjekjen penale të të gjithë personave të përfshirë, pavarësisht pozitës së tyre, si dhe hetimin e rasteve të tjera për të cilat ekzistojnë dyshime serioze dhe denoncime të dokumentuara.
Komuna e Prishtinës nuk mund dhe nuk duhet të vazhdojë të funksionojë si strehë e korrupsionit dhe papërgjegjësisë.Koha e pandëshkueshmërisë duhet përfunduar.
Prishtina meriton qeverisje të ndershme dhe transparente, qytetarët e Prishtinës meritojnë drejtësi./Lajmi.net/