VV padit Përparim Ramën në Gjykatën Supreme për rritjen e çmimit të biletave të autobusëve në Prishtinë

Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka dorëzuar padi në Gjykatën Supreme kundër vendimit të Kryetarit të Komunës, Përparim Rama për rritjen e çmimit të biletave të transportit publik. Përmes një njoftimi, dega e VV-së në Prishtinë ka bërë të ditur se me këtë padi kërkon anulimin e vendimit dhe…

Lajme

17/07/2026 11:56

Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka dorëzuar padi në Gjykatën Supreme kundër vendimit të Kryetarit të Komunës, Përparim Rama për rritjen e çmimit të biletave të transportit publik.

Përmes një njoftimi, dega e VV-së në Prishtinë ka bërë të ditur se me këtë padi kërkon anulimin e vendimit dhe pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të tij deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga gjykata.

Sipas VV-së, vendimi për ndryshimin e çmimit të biletave është marrë në kundërshtim me kompetencat ligjore dhe procedurat e përcaktuara.

“Askush nuk është mbi ligjin. As kryetari i Prishtinës”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Në arsyetimin e padisë, asamblistët e VV-së pretendojnë se kryetari i Komunës nuk ka kompetencë ligjore për të përcaktuar çmimin e biletave të transportit publik, duke theksuar se kjo kompetencë i takon Kuvendit Komunal.

Po ashtu, VV pretendon se vendimi krijon trajtim diskriminues ndaj qytetarëve, pasi sipas tyre përcakton çmime të ndryshme për të njëjtin shërbim publik në varësi të mënyrës së pagesës, pa një arsyetim objektiv dhe proporcional.

Një tjetër pretendim i ngritur në padi lidhet me mungesën e arsyetimit ligjor dhe mosrespektimin e procedurave që kërkohen nga legjislacioni në fuqi.

“Në një shtet të së drejtës, askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë autoritet publik nuk mund të imponojë barrë financiare ndaj qytetarëve duke anashkaluar ligjin”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Tash, sipas kësaj partie, vendimi i takon Gjykatës Supreme, e cila kërkohet të vlerësojë ligjshmërinë e vendimit dhe ndikimin e tij në interesin publik.

Njoftimi i plotë: 

ASKUSH NUK ËSHTË MBI LIGJIN. AS KRYETARI I PRISHTINËS.
Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka dorëzuar padi në Gjykatën Supreme kundër vendimit të Kryetarit të Komunës për rritjen e çmimit të biletave të transportit publik.
Me këtë padi kërkojmë anulimin e vendimit dhe pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të tij deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës.
Padia jonë bazohet në disa pretendime themelore:
▪️ Kryetari i Komunës nuk ka kompetencë ligjore të caktojë çmimin e biletave të transportit publik. Sipas ligjit, kjo kompetencë i takon Kuvendit Komunal.
▪️ Vendimi krijon trajtim diskriminues, duke vendosur çmime të ndryshme për të njëjtin shërbim publik, vetëm mbi bazën e mënyrës së pagesës, pa një justifikim objektiv dhe proporcional.
▪️ Vendimi është marrë në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë, duke mos respektuar procedurat dhe standardet që kërkon legjislacioni në fuqi. Vendimi nuk përmban as arsyetimin e detyrueshëm ligjor.
Në një shtet të së drejtës, askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë autoritet publik nuk mund të imponojë barrë financiare ndaj qytetarëve duke anashkaluar ligjin.
Tani është radha e Gjykatës Supreme të mbrojë ligjshmërinë dhe interesin publik./lajmi.net/