VV: Nëse LDK-AAK-Nisma nuk na kthejnë përgjigje këtu ndahen rrugët tona

Molliqaj në emisionin Interaktiv në KTV ka thënë se bisedimet me LDK-AAK-Nisma, janë në fazën finale dhe ata presin vetëm edhe pak ditë përgjigje për kushtet e tyre, dhe nëse nuk e marrin atë, heqin dorë nga mbështetja e koalicionit opozitar.  Ai ka thënë se deri tash thuajse asgjë të shkruar nuk kanë marrë nga…

Lajme

12/07/2014 00:49

Molliqaj në emisionin Interaktiv në KTV ka thënë se bisedimet me LDK-AAK-Nisma, janë në fazën finale dhe ata presin vetëm edhe pak ditë përgjigje për kushtet e tyre, dhe nëse nuk e marrin atë, heqin dorë nga mbështetja e koalicionit opozitar. 

Ai ka thënë se deri tash thuajse asgjë të shkruar nuk kanë marrë nga blloku opozitar, pavarësisht se vetë kanë paraqitur disa tekste në takimet që i kanë pasur me ta.

“Ne kemi ofruar fillimisht 4 faqe tekst për parimet tona, më pas edhe 5 faqe tjera tekst, e kemi marrë vetëm gjysmë faqe tekst nga AAK-ja, e asgjë nga LDK dhe Nisma”.

“Më 17 korrik do të konstituohet kuvendi, dhe ne na duhet një përgjigje. Ne presim përgjigje dhe nëse kjo nuk do të ndodhë deri atëherë, këtu ndahen rrugët tona”.  

“Dokumenti gjysëm faqe që është ofruar nga AAK-ja është një tekst ku është i shprehur qëndrimi i grupeve në këto takime. Nuk ka kuptim që ne të kemi vetëm përafrim verbale, e jo një dokument të përbashkët ku do të ketë qasje i gjithë opinioni. Qëndrimi ynë që ka qenë në këto takime, nuk është vetëm ndrrimi i emrit në qeverisje, por qeverisja”. 

“Ajo çfarë dakordohemi në takime, nuk ka qenë fare në tekstin e ofruar nga AAK-ja. Nëse qëndrimet tona të përafruara në takime, nuk reflektohen në tekst atëherë nuk do të ketë fare marrëveshje”, ka thënë Molliqaj. 

Ai ka përmendur edhe një herë kushtet në të cilat këmbëngul Vetëvendosja, e për të cilat pret përgjigje nga blloku opozitar, nëse ai dëshiron që të ketë edhe mbështetjen e saj.

Kushti kryesor i Vetëvendosjes bllokut opozitar, ai ka thënë se është që të mos ketë asnjë implementim të marrëveshjeve të cilat janë në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutshmërinë e Kosovës. 

Molliqaj, ka thënë se Vetëvendosje kërkon që në qeverinë e emergjencës, e cila do të jetë me mandat dy vjeçar, nuk do të ketë bisedime me Serbinë, por bisedime me serbët e Kosovës integrimin e tyre, dhe bisedime me Brukselin për dialogun me Serbinë. 

Gjithashtu sipas tij, marrëveshja e 19 prillit kërkohet që të dërgohet për vlerësim në Komisionin e Venedikut ose në Gjykatën Kushtetuese.